Brad Pitt sjell banditin e famshëm amerikan në Millenium II
Në vitin 1882, në moshën 34-vjeçare, Xhesi Xhejms ishte një njeri i mbaruar. Kishte luftuar si ushtar kundër arrogancës së veriorëve (nordistëve), kundër ndërtimit të një hekurudhe në Misuri, tashmë klandestin, kishte rrëmbyer banka, trena, dyqane dhe ishte shndërruar në një njeri të ashpër. Ai ka grua, fëmijë dhe një vëlla me të cilin drejton bandën. Ishte i lodhur nga fama e tij legjendare dhe nga njerëzit që e ndiqnin për ta vrarë për të marrë shpërblimin e pse jo, edhe famën. Rrinte i mbyllur në shtëpi me një grup të armatosur. Njëri prejt tyre është dhe 20-vjeçari Robert Ford. Ai nuk kishte armë dhe Jesse James i dha një nga pistoletat e tij, e cila në mëngjesin e 3 prillit të vitit 1882 iu shkreh pas krahëve pikërisht të zotit. Kjo është një pjesëz e historisë së filmit “Vrasja e Xhesi Xhejmsit”, një prodhim emocional, psikologjik dhe melankolik që shënon lindjen e një lloji të ri të gjinisë uestern. Edhe protagonistët e filmit janë po aq emocionalë; Brad Pit-i akullt, por jashtëzakonisht joshës, Casey Affleck - mishërimi i gjallë i një burracaku që nuk arriti të fitonte kurrë famën e ëndërruar, një aktor që me këtë rol është quajtur përfundimisht i pjekur. Të dy të vlerësuar nga audienca e gjerë me rolet më të mira të karrierës së tyre deri më sot. Në krah të tyre edhe i njohur Sam Shephard.
Por le të ndalemi pak te roli kryesor; Për të gjithë ata që nuk e njohin, ai është një nga banditët më të famshëm të historisë amerikane, i quajtur ndryshe “Robin Hudi i Perëndimit”. Është pikërisht legjenda dhe ikona që ka frymëzuar dhjetra filma, këngë e seriale televizive duke u kthyer në një personazh thelbësor të letërsisë amerikane. Por mesa duket, fama e Jesse James (Xhesi Xhejms) nuk zbehet nga koha dhe as nga shfrytëzimi i figurës së tij. Sepse legjenda e një luftëtari të luftës civile e shndërruar në një bandit që pas luftës vendos të placisë banka, trena e dyqane është kthyer një mit jo vetëm për vitet 1800, por deri në ditët tona. Dy producentë si Ridley Scott dhe aktori Brad Pitt e kanë rikthyer Xhesi Xhejmsin në ekranin e kinemasë me filmin e titulluar “The Assassination of Jesse James by the Coward Robert Ford”. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës filmi qarkullon me titullin e shkurtër “The Assassination of Jesse James”. Në kinemanë Millennium II në Tiranë, ku filmi ka nisur projeksionin e vet që të shtunën më 26 korrik, ai titullohet “Vrasja e Xhesi Xhejms nga burracaku Robert Ford”. Një titull për të cilin vet Brad Pitt kishte këmbëngulur që të mos ndryshonte nëpërmjet një pike të fortë në kontratën e tij me studion filmike. Një legjendë që nuk shterron...
Skeda e filmit
Titulli: “Vrasja e Xhesi Xhejms nga burracaku Robert Ford”
Regjia: Andrew Dominik
Prodhuar: Ridley Scott, Brad Pitt, Jules Davy
Skenari: Andrew Dominik, Ron Hansen (romani)
Aktorë: Brad Pitt, Casey Affleck, Sam Shephard
Gjinia: biografi, uestern, dramë
Muzika: Nick Cave, Warren Ellis
Kohëzgjatja: 160 minuta
Buxheti: 30 milion dolllarë
Sinopsi
Për ata që ai grabiste dhe terrorizonte, për familjet e atyre që kishte vrarë, ishte thjesht një kriminel. Por për artikujt sensacionalë të gazetave dhe romaneve që portretizonin Bandën Xhejms, Xhesi Xhejms ishte objekt mahnitjeje dhe adhurimi. Midis admiruesve të tij, ishte dhe Robert Ford, një djalosh idealist dhe ambicioz, që ia kishte kushtuar jetën, shpresës se një ditë do të kalëronte me idhullin e tij. Por s’do ta kishte imagjinuar kurrë se do të hynte në histori si “burracaku i poshtër” që e qëlloi Xhesin pas krahëve.
29 Korrik 2008