“Ska-Ndal” në kinematografinë shqiptare
Ekrem KRYEZIU
Më 15 korrik në një të përditshme të rëndësishme të Shqipërisë u botua një artikull që lidhet me xhirimin e një filmi, të njërit nga autorët më në zë të filmit serb, jo vetëm për krijimtari filmike por edhe për “background” të theksuar antishqiptar, të shprehur në mediet e shkruara dhe elektronike në Paris. Sikur ky artikull t’i dedikohej regjisorit Goran Paskaljeviç, pa pasur lidhje me hapësirën kulturore shqiptare, do ta kisha përjetuar vetëm si edhe një emblemë të zemërgjerësisë që, edhe për armiqtë e kombit shqiptar, të deklaruar publikisht, kemi mirëkuptim dhe, gjykimin tonë për veprimtarinë e tyre artistike e ndajmë nga aktivitetet dhe prononcimet e tyre publike lidhur me politikat e Ballkanit. Ajo që më shqetësoi, edhe si krijues, edhe si shqiptar, ishte fakti se në këtë artikull mësova për nismën e përgatitjeve për xhirimin e filmit “Muaji i mjaltit”, të cilin autorja, me mburrje e apostrofon si film i parë serbo-shqiptar në histori. Nuk jam kundër bashkëpunimit rajonal, por para bashkëpunimit rajonal, në planin e realizimeve filmike, mendja ma thotë se, ishte dashur të jetë bashkëpunimi gjithëkombëtar, aq më tepër kur, Kosova, tani e deklaruar si shtet shumetnik, do të kishte mundësi që producentëve të “Ska-Ndal”-it, t’u ofronte krahas shqiptarëve, edhe minoritetin serb, me të cilin drejtori i “Ska-Ndal”-it sikur digjet nga dëshira, ta bëjë krahasimin me popullin shqiptar. Por, të nisem nga fillimi. Me pompozitet provincial trumbetohet se Goran Paskalejeviç është në Tiranë dhe se në lokalet e Akademisë së Arteve bën kinoprova me aktorët shqiptarë të moshave të ndryshme për filmin “Muaji i mjaltit”, të lumtë ne për këtë miqësi! Por, ta lë mahinë se kjo punë nuk është fare me mahi, përkundrazi, është më sherr. Autorja e këtij shkrimi, e shkreta, siç duket nuk e ka të qartë se a është ky film serbo-shqiptar, siç e thotë në mbititull të artikullit, i cili e zë një faqe të gazetës, apo shqiptaro-serb, siç e thotë më vonë: “Pasi e mori pëlqimin nga Qendra Kinematografike Shqiptare, projekti i përbashkët filmik shqiptaro-serb, po rrjedh në rrugën e vet me ritme të shpejta”.
Gjumi veror...
Arsyeja e insistimit tim në emërtimin e saktë të titullarit të këtij projekti, kush është i pari, e kush i dyti, më mundëson që ta gjej më lehtë të merituarin për sukses (në sheshimin e xhungave ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve) apo fajtorin që këto, xhunga të krijuara me dekada, veç sa rriten dhe honet ndërmjet nesh thellohen... Ajo që më intereson në këtë rast është çështja se me paratë e kujt realizohet ky projekt “ndër-rajonal”. Kur të kuptojmë paratë e kujt qëndrojnë në themel të këtij bashkëpunimi, lehtë mund të zbulohen edhe arsyet e këtyre aktiviteteve të përshpejtuara gjatë kësaj stine, të “gjumit veror” të klasës politike shqiptare dhe inteligjencies së saj, të degdisur nëpër pushimoret e botës. Nuk e di sa qesemadh është “Ska-Ndal”-i i Tiranës, por, nga përvoja e deritanishme “skandalet” kurrë nuk kanë vuajtur për “Lekë”, nëse “Lekët” e “dhuruar” janë përdorur për nëpërkëmbjen e kombëtares shqiptare. Në koordinatat e kësaj pjese të Europës, të shumtë janë donatorët që parapëlqejnë aktivitete të tilla. Pa dashur ta paragjykoj fundin e kësaj ndërmarrjeje filmike që synon ta ndjekë mendësinë artistike të njohur nga filmi “Babël” i Amaorros Perros; padashur ta nxiros, më tepër se që është, regjisori Paskaljeviç, me të cilin kemi qenë fitues të Festivalit të Pulës në ish-Jugosllavi (1980), unë për filmin “Gjurmë të bardha”, ai për një film të tij serb, si njohës i skenarit dhe profesor i dramaturgjisë në Universitetin e Prishtinës, nga linjat skenaristike, të cilat përvijohen nga fjalët e artikullshkrueses, e cila edhe ka mundur të gabojë, kemi të bëjmë me një kurth të rrezikshëm, në të cilin kam frikë se do të përsëriten përvojat nga “Tirana viti 0” ku, me optikë thellësisht negative shikohej realiteti shqiptar. Duke mohuar, në mënyrë të tërthorrtë, çdo vlerë kombëtare synohej që bota shqiptare të paraqitet si një pllajë e rrënuar në të cilën njerëzit e pashpresë të sotmen e tyre e nisin nga hiqi, nga viti 0”(!). Nëse filmi “Tirana viti 0” u shpërblye në një nga manifestimet apo festivalet filmike në Greqinë mike, në Greqinë e “fshesave të hekurta” për emigrantët shqiptarë të asaj kohe, është e mundur që edhe ky film “Muaji i mjaltit” të gjejë ndonjë shpërblim në ndonjërin nga festivalet europiane, ku miqtë e Paskaljeviçit, sigurisht mund të jenë anëtarë jurie, siç është edhe ai, këtë herë kryetar jurie në festivalin e Lokarnos ku, për çudi të madhe, me ngutësi të pashoqe po insistohet të prezantohet posteri i filmit ende të panisur. Ky insistim i përshpejtuar i prezantimit të një projekti, xhirimi i të cilit ende nuk ka filluar është edhe një kurth i mendësisë dredharake bizantine, kur insistohet, deshëm apo jo, të na lihen në duar “këmbët e arushës”. Sado që mjeshtrit e këtij makinacioni mund të arsyetohen se kjo bëhet që të përshpejtohet shitja e këtij produkti “mjaltor”, i cili sipas fjalëve të Genc Përmetit, piktorit dhe drejtorit të “Ska-Ndal”-it, kam frikë se e vërteta është krejt ndryshe. Duke i njohur raportet “mjaltore” shqiptaro-serbe gjatë luftës në të cilën u bë genocid i paparë, në fund të shekullit XX, ndaj popullatës civile dhe të pambrojtur të Kosovës, dyshoj në çdo gjë që ofrohet nga inteligjencia serbe, aq më tepër kur ajo inteligjencë, kurora e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, ishte ideator dhe promotor i politikës së Millosheviçit. Deri tani asnjeri nga kjo klasë e inteligjencës serbe, qofshin ata artistë apo shkencëtarë, nuk gjeti fuqi intelektuale e morale në mos të distancohet nga politika vrastare, së paku t’i kërkojë falje popullit shqiptar për krimet e bëra. Në kuadër të kësaj plejade të më të nderuarve në Serbi, që po ashtu nuk e panë të udhës ta thonë qoftë edhe një fjalë miradije apo përdëllimi, në mos për popullin shqiptar atëherë për kolegët e tyre, shquhen regjisorët Goran Paskaljeviç dhe Emir Kusturica, me kompozitorin e kantautorin Goran Bregoviç, laureatin e Çelësit të Tiranës (siç)! Këta jo vetëm që nuk u distancuan nga krimet serbe të Millosheviçit, por tërë kohën e fushatave të tij, haptas, publikisht e mbështesnin. Nuk e di kush është “Ska-Ndal”-i i piktorit Genc Përmeti; në të vërtetë nuk e njoh as Genc Përmetin, as si piktor, e as si kineast por mosinformimi im për të, kujtoj që nuk dëmton askënd. Unë nuk vendos as për leje xhirimi, as për lëvrim fondesh për xhirime të tilla.
Kush qëndron pas Qendrës Kinematografike Shqiptare?
Nëse Qendra Kinematografike Shqiptare e di kush është “Ska-Ndal”-i dhe kush qëndron mbas saj, paratë e pista apo paratë e “pastra”, atëherë ajo do të jetë përgjegjëse apo meritore për këtë ndërmarrje. Po e akuzoj udhëheqjen e Qendrës Kinematografike Shqiptare, se nuk po e kupton çfarë domethënie ka titulli i themelatës të cilën ata e udhëheqin. Me dëshirë që t’i vetëdijësoj për të mos rrëshqitur si “derri në akull”, po ua përkujtoj se emri i institucionit ku ata punojnë e që është me rëndësi kapitale, quhet Qendra Kinematografike Shqiptare dhe jo Qendra Kinematografike e Shqipërisë. Kur një institucion e mban prefiksin shqiptare, ai duhet të kujdeset jo vetëm për interesat e kulturës të kufizuar në kuadër të shtetit ku vepron, por e ka për detyrë të kujdesët, mbi të gjitha, për “shëndetin” kulturor të kombit shqiptar në tërësi. Si shqiptar i Republikës së Kosovës, kjo qendër e ka për detyrë që mua, si shqiptar që jam, të mos më cenojë integritetin kombëtar nga një ndërmarrje e papërgjegjshme, në të cilën edhe kjo “Qendër” ka qenë “kumbare”.
Filmi “Muaji i mjaltit”, sipas asaj që në artikull u përzgjodh nga skenari dhe sipas “gustos” së Paskaljeviçit, me këtë film fund e krye rrënon shumëçka shqiptare. Sipas fjalëve të drejtorit të “Ska-Ndal”-it, filmi “do të xhirohet në Veri, në zonën e Komanit.... Regjisori kërkon një vend që do të jetë gati në kufijtë e së pamundurës për të ekzistuar. Një vend të pastër, të qetë ku edhe njerëzit janë shpirtërisht më të pastër. Dhe mendoj se në këtë zonë me atë peizazh të kulluar i përshtatet më së miri idesë së Paskaljeviçit... Do të xhirohet edhe në Tiranë gjithashtu. Këtu ndodh përplasja. Një botë tërësisht e distancuar përballet me një tjetër të zhurmshme, ku një luks sipërfaqësor t’i merr sytë”. Ky ishte rrafshi shqiptar. Sipas artikullit, “linja serbe ka edhe një problem më shumë, nacionalizmin dhe një lloj agresiviteti, që nuk ndihet në lejen shqiptare”. Ore, drejtor i “Ska-Ndal”-it, a nuk po kupton ku je duke sharruar?!
Sipas skenarit që të është ofruar dhe të cilin, ti, jo me paratë e babait tënd, je duke dashur ta bësh film, shqiptarët janë të pastër dhe të mirë vetëm në vendet ku jetohet “gati në kufijtë e së pamundurës për të ekzistuar”(!).
Mentaliteti
Po dëshmohet edhe këtë herë se, për mentalitetin, fatkeqësisht regresiv të një pjese të inteligjencies serbe, të cilës këmbë e krye i takon Paskaljeviçi, dhe të cilin ti na e paske zbuluar, apo një dreq e di nga kush të është propozuar, shqiptari është i mirë vetëm si i prapambetur. Vetëm atëherë është i pastër, përndryshe, shqiptari si të ballafaqohet me civilizimin atë e verbon “një luks sipërfaqësor”. Nga kjo që na ofrohet dhe me të cilën, ti drejtor i “Ska-Ndal”-it, mburresh, shqiptari është i pandërgjegjshëm për raportet në të cilat jeton populli të cilit ai i takon dhe si i tillë ai portretizohet në skenarin “Muaji i mjaltit”, si qenie e mefshtë, pa fuqi intelektuale, me karakter të lig që i harron të vetët dhe, i sharruar në luksin sipërfaqësor, nuk sheh asgjë. Nga ana tjetër, serbi është nacionalist (e di kush është dhe kah duhet të shkojë) dhe është agresiv. Me ndjenjën e nacionalizmit të mbështetur në agresivitet, regjisori dëshiron ta dëshmojë pozitën përcaktuese të prijësit, të cilën duhet ta ketë serbi në raport me popujt e tjerë të ballkanikë. Nëse nuk i kupton këto ndërthurrje skenaristike që ty të lënë të lagtë me paratë tua, pyeti shokët tu, pyeti ata që dinë më shumë se ti, sepse nuk kam dëshirë që një piktor me emër dhe mbiemër 100% shqiptar, të bëhet shërbëtor i zotërisë serb. Këtë po ta propozon shqiptari nga Kosova, i cili brez pas brezi ka luftuar për mirëkuptim ndër popujve dhe fqinjve, por pa e cënuar dinjitetin kombëtar, i bindur se pas tij gjithmonë qëndron Shqipëria. Këtë herë dyshimi në këtë mbështetje vetëm sa më rritet. Prononcimi im i ngjason thirrjes së Laookonit të Trojës në brigjet e Egjeut, i cili u ngulfat nga gjarpinjtë e Apolonit, pikërisht pse insistonte që dyert e Trojës të mos hapen për asnjë “dhuratë” se, grekëve nuk duhet t’u besohet edhe kur sjellin dhurata. Sado që dëshiroj të mendoj se e sotmja nuk është më botë e rivaliteteve antike, histori e hidhur që e kaloi populli shqiptar, megjithatë nuk më lë që frikën ta shqis nga koka ime.
29 Korrik 2008