E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli godet ndërtesën e OKB, reagon Ban Ki Mun

 

Konflikti në Rripin e Gazës duket se ka arritur kulmin, ndërsa tanket izraelite kanë hyrë në qendër të qytetit, duke vrarë edhe civilë palestinezë dhe avionët kanë qëlluar me predha mbi ndërtesën e OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun reagoi menjëherë pas këtij sulmi, duke e quajtur atë mizor. Ai tha se vuajtjet në Gaza kishin arritur në një pikë që nuk mbante më. Agjencia e OKB-së ka ndërprerë aktivitetin pas rënies së predhave izraelite mbi të. Pak orë para sulmit të ndërtesës, një mjet i OKB-së është goditur nga një plumb i armëve izraelite. Sipas një funksionari të OKB-së, makina i kishte të gjitha shenjat e OKB-së, madje mbante edhe flamurin. Kryeministri britanik Gordon Braun e ka quajtur të papranueshëm e të pajustifikueshëm sulmin e Izraelit mbi strukturat e OKB-së. Ban Ki Mun ka kërkuar shpjegime të plota nga Izraeli rreth sulmit në ndërtesën e OKB-së, i cili sipas punonjësve vendorë të OKB-së shkaktoi zjarrin e një depoje dhe plagosi tre persona. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak e ka quajtur një gabim të rëndë sulmin, duke i kërkuar falje sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Ndërsa kryeministri izraelit, Ehud Olmert i deklaroi Ban Ki Munit, se trupat izraelite kanë qëlluar në ndërtesën e OKB-së, pasi u qëllua më parë kundër tyre nga brenda ndërtesës. Olmert i tha kreut të OKB-së se bëhej fjalë “për një incident fatkeq”, duke shtuar se përgjegjës ishin militantët. Dje në mëngjes ushtarët izraelitë hynë në qendër të qytetit të Gazës dhe mijëra qytetarë në panik kanë lënë shtëpitë e tyre. Sipas BBC, civilët palestinezë që po largohen nga Gaza kanë denoncuar ushtrinë izraelite, e cila sipas dëshmitarëve ka vrarë edhe civilë të pafajshëm që përpiqeshin të linin qytetin. Mjekë dhe pacientë palestinezë janë bllokuar brenda godinës së një spitali të qëlluar gjatë natës nga sulmet izraelite. Alarmi është hedhur nga një mjek francez, i cili dëshmoi se sulmet e izraelit kanë ndodhur rreth spitalit. Mjekët palestinezë njoftojnë shtim të numrit të së vdekurve. Nga bilanci i fundit rezultojnë 1038 të vdekur dhe mbi 4850 të plagosur. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm Hamasi i është kundërpërgjigjur sulmeve intensive ajrore të Izraelit, duke hedhur rreth 14 raketa janë hedhur në drejtim të territorit izraelit, por nuk ka pasur informacion për dëme apo viktima. Ndërsa në orët pasdites lëvizja ka marrë nj goditje të rëndë. Ministri i Brendshëm palestinez, zyrtar i lëvizjes Hamas, Said Siam, është vrarë gjatë një bombardimi izraelit. Hamasi ka kërcënuar se do të hakmerret kundër vrasjes së tij. “Gjaku i tij nuk është derdhur kot. Nuk do të përgjigjemi me fjalë, por me akte konkrete”, thuhet në komunikatën e Hamasit. Ndërkohë Venezuela ka prishur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin për shkak të ofensivës në Gaza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›