Prishtinë, debat për zgjedhjet e përgjithshme
Pozita dhe opozita në Kosovë kanë nisur një debat të konsiderueshëm mbi organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Diskutimet kanë nisur që pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të organizuar këtë vit, në nëntor, vetëm zgjedhjet lokale, pasi sipas mandateve Kushtetuese maxhoranca ka ende kohë për të qeverisur. Sipas planit Ahtisari, nëntë muaj pas marrëveshjes për statusin, duhet të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. Një gjë të tillë tashmë opozita e kërkon me këmbëngulje, duke kërkuar që përpos zgjedhjeve lokale, këtë vit në Kosovë të zhvillohen edhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Plani i Ahtisarit interpretohet në mënyra të ndryshme nga pozita dhe opozita. Pozita përdor si argument faktin se zgjedhjet e fundit në Kosovë janë mbajtur në nëntor të vitit 2007, vetëm tre muaj para zgjidhjes së statusit. Prandaj, sipas qeverisë, tani nuk ka nevojë të mbahen zgjedhje të reja. Debati ka tërhequr edhe vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe ka detyruar përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë, që të ulet në tryezë diskutimi me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Feith nuk ka mundur të përcaktojë nëse këtë vit do të organizohen zgjedhje të përgjithshme, sipas planit. Në një prononcim për agjencinë BBC, Feith, i cili është caktuar nga BE që të mbikëqyrë zbatimin e planit Ahtisari, nuk ishte në gjendje të thoshte një përgjigje konkrete mbi këtë debat. “Nuk kemi arritur akoma asnjë përfundim për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve. Sipas Kushtetutës së Kosovës është Presidenti ai që e shpall kohën e mbajtjes së zgjedhjeve kombëtare dhe lokale. Roli im si përfaqësues civil ndërkombëtar është të diskutoj dispozitat e planit gjithëpërfshirës të Ahtisarit sipas të cilit, zgjedhjet normalisht, do të mbahen nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij plani”, tha Feith, duke sqaruar se konsultimet me udhëheqësit kosovarë për këtë çështje do të vazhdojnë. Zëdhënësi i presidencës ka njoftuar se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të qeverisë dhe Kuvendit, siç e parashikon Kushtetuta.