Shpërndahen 20 mijë kuponë, rinis procesi për kartat
ZIRINA LLAMBRO
Rinis shpërndarja e kuponëve për kartat e identitetit. Pas dy ditësh ndërprerje, në zyrat postare të kryeqytetit kanë ardhur rreth 20 mijë të tilla. Sipas punonjëseve, për disa ditë kjo sasi është mëse e mjaftueshme, për të mos krijuar probleme me qytetarët. Ndërkaq burime nga firma Sagem kanë pohuar se janë marrë të gjitha masat që të mos këtë vonesa të tjera. Mungesa e kuponëve të pagesës për letërnjoftimin e ri krijoi që ditën e parë të procesit radhë dhe kaos në zyrat e postës. Aktualisht interesi i qytetarëve për t’u pajisur me pasaportat biometrike është tejet i lartë. Kjo për shkak të datave dhe penalizimeve që do të vendosen në rast se ata nuk duan të bëjnë aplikimin. Sipas vendimit të qeverisë, është përcaktuar që punonjësit e administratës rrezikojnë pagat, ndërsa pensionistët pensionet. Por përballë gatishmërisë së kryeqytetasve, veç pritjeve të gjata, pjesa më e madhe e tyre nuk ka arritur të përfundojnë procedurën e aplikimit deri në zyrat e gjendjes civile. Kjo mbetet të kryhet ditët në vijim. Ndërkaq për të lehtësuar një sërë kategorish, qeveria ka vendosur të ulë tarifën e aplikimit për letërnjoftimin e ri. Kështu punonjësit e administratës me të ardhura të ulëta, pensionistët, shtresat në nevojë dhe studentët, nuk do të paguajnë çmimin fillestar, prej 1200 lekësh, por një vlerë më të reduktuar. Janë rreth 800 mijë persona do të përfitojnë ulje të çmimit të pasaportës biometrike. Në këtë mënyrë, çdo qytetar që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe që është mbi 18 vjeç; çdo person me aftësi të kufizuara, si dhe anëtarët e familjes mbi 18 vjeç, kur kryefamiljari është me aftësi të kufizuara; personat që përfitojnë asistencë dhe studentët do ta marrin kartën e identitetit me vlerën 500 lekë të reja. Personat që përfitojnë pension pleqërie, të të gjitha llojeve, si dhe ata që kanë në ngarkim pensionistë, do ta blejnë kartën për 800 lekë, ndërsa punonjësit e administratës që marrin pagë bruto deri në 35 mijë lekë, do ta blejnë kartën e identitetit për 1 mijë lekë të reja. Pas tërheqjes së kuponit nga zyrat postare dhe pagesës së tarifës, ata do të paraqiten për ta dorëzuar atë pranë zyrave të gjendjes civile. Në këto ambiente, qytetarët hedhin shenjat e gishtërinjve, bëjnë foton dhe hedhin firmën, e cila do t’i brendashkruhet kartave të reja të identitetit. Më tej, punonjësit e zyrës plotësojnë të dhënat e qytetarit, të marra nga regjistri themeltar i shtetasve.
S’ka infrastrukturë, në Fier procesi pezull
FIER- Qytetarët e Fierit më kot janë endur këto ditë dyerve të bashkisë, për të marrë një përgjigje për pajisjen me kartat e identitetit. Në Fier ende nuk është krijuar infrastruktura dhe as ambientet ku mund të drejtohen të interesuarit. Sipas nënkryetares së bashkisë, Eriselda Çobo, nuk ka mbërritur asnjë njoftim dhe ende nuk janë përcaktuar godinat ku do të kryhet procesi i aplikimit të kartave. “Kam dëgjuar të thuhet nga prefektura që Fieri është gati të çelë dyert për aplikimin. Unë nuk shoh asnjë dritare për t’u thënë qytetarëve “ejani”. Nuk dimë ende se ku do të vendosen ambientet dhe nuk na ka ardhur ndonjë udhëzim konkret. Kam dëgjuar vetëm deklaratën e Ferdiand Pones, ashtu sikurse e kanë dëgjuar të gjithë qytetarët e thjeshtë, por nuk dimë asgjë më shumë” u shpreh Çobo. m.r