E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Tiranës, kuota të reja për part-time

 

Universiteti i Tiranës do të kërkojë kuota të tjera shtesë për sistemin part-time. Këtë pohojnë burime të sigurta nga ky institucion. “Kërkesat për të ndjekur studimet me kohë të pjesshme kanë qenë shumë të larta. Ato vijojnë të mbeten të tilla megjithëse numri i kuotave të miratuara nga qeveria ishte i kënaqshëm”, sqaruan burimet. Sipas tyre, kjo është arsyeja pse drejtuesit e UT kanë vendosur t’i kërkojnë Ministrisë së Arsimit të propozojë edhe një kontingjent të ri kuotash shtesë. Por përpos kësaj, procesi i regjistrimit të kandidatëve ka qenë tejet kaotik. Në sekretaritë e fakulteteve, dhjetëra studentë janë përcjellë pa asnjë sqarim për arsyen pse janë s’kualifikuar. Të tjerë nuk kanë pasur informacionin e duhur për dokumentet që duhet të paraqisnin. Akuza ndaj Ministrisë së Arsimit janë hedhur edhe për ndryshim të udhëzimit. Deri tani ka përfunduar faza e parë e regjistrimeve, dhe sekretaritë mësimore po pranojnë emrat e rinj të shpallur fitues me kuotat shtesë. MASH nga ana e saj  nuk ka përcaktuar ende asnjë afat se kur do të nisë viti akademik për part-time. Burime pranë saj deklarojnë se pritet të çelet në shkurt, por nëse do të miratohen edhe kuota të reja shtesë, atëherë mund të ketë edhe një tjetër shtyrje të datës. Për këtë vit, qeveria ka miratuar në total për të gjithë universitetet publike rreth 4000 mijë kuota në sistemin part-time. Prej të cilave 1400 kanë qenë vetëm për Universitetin e Tiranës. Me shtesat aktuale të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ky numër ka shkuar në rreth 1800 pranime. Por ende fluksi i kërkesave është i lartë, sidomos për ata kandidatë që e kanë përfunduar tashmë një shkollë të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›