E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada, ngrica bllokon xpunimet

 

KUKES - Moti i ftohtë, ngricat dhe reshjet e vazhdueshme kanë bërë që puna në segmentet e korridorit Durrës-Kukës-Morinë nga Kolshi deri në Morin, 37 km gjatësi të ndërpritet. Sipas specialistëve, është e pamundur që të punohet me punime betoni apo gërmime, kur toka është krejtësisht e ngrirë dhe e mbuluar nga dëbora, duke mos mundësuar hedhjen e betonit në veprat e artit. Janë 7 ura nga Kukësi në Morin, të cilat nuk kanë nisur nga puna qëkurse ajo është ndërprerë dy ditë para vitit të ri, kur dhe shumica e specialistëve nga Maqedonia dhe Kosova kanë ikur për pushime dhe nuk janë rikthyer më derisa të jenë optimale kushtet për punë. Ndërkohë punonjësit shqiptarë, kryesisht shoferë, janë pushim dhe për ta këto ditë nuk paguhen. Gjatë ditës së djeshme, një fadromist nga Maqedonia po tentonte të hapte rrugën, nga ajo ekzistuese deri në frontin e punës, por dhe kjo është gati e pamundur pasi akulli dhe dëbora janë ngurtësuar nga temperaturat e ulëta. Veprat e artit dhe shtrimi i trasesë së rrugës me brezin e sigurisë është një gjë e pamundur praktikisht dhe teknikisht. Urat momentalisht po bëhen njëkalimëshe, por është në proces të tenderimit korsia e dytë e tyre. Puna është ndërprerë vetëm nga firmat shqiptare, pasi në tunelin e Kalimashit “Becthel Enka” ka vijuar normalisht sepse kushtet e motit nuk ndikojnë në punimet në thellësi të tij, ku temperatura është e njëjtë në çdo stinë. Madje burime nga kjo firmë ndërtimi thonë se para 1 marsit, një nga galeritë e tunelit do të bashkohet, pasi puna vijon në të dy anët.                         j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›