“Kufizimi i imunitetit ul korrupsionin në drejtësi”
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi ftoi kreun e partisë Socialiste dhe deputetët e opozitës të votojnë draftin e paraqitur nga dy relatorët për kufizimin e Imunitetit sepse është një hap i rëndësishëm dhe i nevojshëm për të luftuar korrupsionin. “Jemi vonë në luftën kundra korrupsionit, në heqjen dhe kufizimin e imunitetit. Dëshiroj në fakt ti them, t’i ftoj e padiskutim të kërkojë nga Edi Rama të lejojë deputetët e opozitës të bëjnë detyrën në kuadrin e miratimit të ligjeve”, deklaroi Brikena Kasmi, zëvendësministre e Drejtësisë.
Sipas saj fakti që nisma është shtrirë dhe te njerëzit e drejtësisë në kushtet kur perceptimi për korrupsionin në këtë sistem është shumë i lartë.
“Është fakt që publiku ka humbur besimin te gjyqësori dhe që gjyqësori ka nivel të lartë perceptimi të korrupsionit. Këto të dyja nuk shkojnë bashkë. Imuniteti është një guackë që e mbron zyrtarin nga ushtrimi i profesionit. Ndërsa veprimet korruptive janë tjetër gjë. Janë ato që pikërisht dëmtojnë këtë proces. Atëherë, le ti japim frymëmarrjen e duhur, ti largojmë nga perceptimi për korrupsionin e ti japim mekanizmat e duhur”, u shpreh Kasmi.
Pro miratimit të ndryshimeve kushtetuese, që bëjnë të mundur zhveshjen e deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë nga imuniteti u shprehën edhe 100 gra juriste. Të mbështetura nga Kombet e Bashkuara, programi për barazinë gjinore, ato u mblodhën në këtë 100-vjetor të Pavarësisë për të promovuar mbështetjen për mendimin profesional të gruas në shoqërinë shqiptare.