“Taktika e goditjes së arritjeve nga ana e PS është një taktikë e dështuar”
Lulzim Basha flet për punën një vjeçare në krye të Bashkisë së Tiranës. Zgjerimi i Bulevardit, rehabilitimi i Lumit të Tiranës dhe përfundimi i aksionit për hipotekimin e banesës, hapi i parë drejt një frymëmarrjeje të re të biznesit të kryeqytetit
“Bilanci i vitit të parë pasqyron një progres të dukshëm në qytetit të Tiranës. Një kryetar bashkie ka sukses nëse i ka qytetit ofruar 100 për qind të kohës së tij qytetit dhe qytetarëve”. Kështu është shprehur Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha gjatë një interviste televizive.
Sipas tij në një hark kohor të shkurtër ulja e 60 taksave dhe tarifave ka bërë të mundur rritjen e punësimit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ai vuri në dukje se në një vit në Tiranë janë punësuar 6 091 persona dhe ky është rezultat i një klime të përmirësuar të biznesit. “Kjo vërtetohet edhe nga shifrat e marra nga Qendra e Regjistrimit se në Tiranë nga periudha 1 korrik 2011 deri në 1 korrik 2012 janë regjistruar 1 202 biznese më shumë se e njëjta periudhë e 1 korrik 2010-1 korrik 2011. Klima është përmirësuar ndjeshëm edhe te biznesi. E kemi arritur me këto reforma”, u shpreh Basha.
Po ashtu, kreu i Bashkisë Tiranë theksoi stimujt për rritjen e shanseve të punësimit, për çlirimin nga taksat të biznesit me 50 të punësuar ka funksionuar në shumë raste. Ky është një stimulim pozitiv për biznesit në lidhje me punësimin me sektorin privat. Ndërsa për reformën në administratë ai u shpreh se, “ne kemi qenë transparent me reformën që kemi bërë, qoftë dhe më ndryshimin e stafit të bashkisë Tiranë. Unë i jam përmbajtur premtimeve që kam thënë në fushatë për zgjerimin e tregut të punës. Paratë që qytetarët paguajnë do të shpenzohet për shërbime që do të jenë për qytetarët e Tiranës”. Në lidhje me akuzat e Partisë Socialiste e për heqjen nga administrata të punonjësve, Kryebashkiaku Basha theksoi se, “Bashkia e Tiranës nuk është bordero për militantët. Sigurisht ka demokratë që thonë se nuk keni hequr të gjithë socialistët, sepse asnjë se meriton aty. Dhe ka socialistë që thotë se na hiqni nga puna se jemi socialistë. Kurrsesi s’mund të jetë kështu sepse në bashkinë e Tiranës do të jenë në punë ata që i shërbejnë kryeqytetit” deklaroi Basha.
Plani urbanistik, transparent dhe gjithëpërfshirës
Gjatë intervistës Kryebashkiaku Basha u ndal edhe në një premtim bazë të fushatës për Planin Urbanistik brenda vitit të parë të mandatit. Sipas tij mes skepticizmit dhe shumë dyshimeve me të cilat u shoqërua debati i Planit Urbanistik, ai u hartua me ekspertizën e ekspertëve më të mirë, në mënyrë transparente dhe bashkëkohore ku në thelb ka patur vlerësimin e pronës. “Ky propozim do t’i kalojë këshillit bashkiak si dhe KKRRTRSH-së. Do ketë një proces konsultimesh me qytetarët dhe kjo s’do jetë sa për sy e faqe, por një gjithëpërfshirje. Duke përdorur këtë metodë sa më të kuptueshëm për qytetarët dhe ekspertët ndërsa më pas do procedohet menjëherë me orientimin e këtij plani”, theksoi Basha.
Sheshi “Skënderbej” dhe zgjatimi i bulevardit
Ndër të tjera, Lulzim Basha tha se bashkia ka ndërhyrë te Sheshi “Skënderbej”, i cili ka qenë një ngërç më vete. Për atë e ardhmja e qytetit të Tiranës është padyshim konkursi për bulevardin dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Sipas tij, natyrisht që projekti i sheshit vijon me zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Do të jetë një zgjidhje tredimensionale dhe afatgjatë, nuk do të ketë makijazhe, por një investim për të gjithë qytetin. “Me plot besim them se ne do të fillojmë punën për bulevardin jo më larg se pranvera e vitit të ardhshëm. Konkursi ndërkombëtar ka qenë dinjitoz dhe një pasqyrim real i Tiranës. Kemi një projekt shumë të mirë, racional dhe të ekzekutueshëm”.
Kryebashkiaku Basha është ndalur edhe të ndërtimi i tramit. Sipas tij, sapo të zgjidhet modeli i financimit dhe kostot e tij, do të nisi ndërtimi i tramit të Tiranës. “Me shpalljen e garës (brenda shtatorit) dhe me këtë interes, në do të shpallim koncensionarin”, ka sqaruar Basha. Në vijim të sitim të investimeve të Bashkisë së Tiranës, Basha ka sqaruar edhe ndërtimin e terminalit multi-modal. Sipas tij, në bashkëpunim edhe BERZH-in, është arritur të gjendet financimi i terminalit multi-modal, ku do të nisen autobusët urban dhe interurban dhe një sërë shërbimesh komerciale.
Mbi zgjerimin e rrugës së Elbasanit
Kryebashkiaku Basha sqaroi edhe një herë paqartësitë e opozitës për projektin e zgjerimit të rrugës së Elbasanit, e cila sipas tij ka nevojë për t’u zgjeruar pas 40 vitesh pa ndërhyrje, ndonëse kryeqyteti është rritur në popullsi. “Unë nuk merrem me konfliktin politik, por me shqetësimin e qytetarit. Kemi bërë një projekt bazuar në një koncept ekzistues të Bashkisë që në 2004-ën, kjo rrugë nuk mund të jetë njësoj si para 40 vitesh. Ka pasur transparencë maksimale”, theksoi Basha. Ai ka dhënë sqarime edhe për problemin e prerjes së disa pemëve, në këtë pjesë aksi rrugor. “Është e vërtetë që zgjerimi i rrugës diktoi prerjen e një numri pemësh, ndërkohë që në të njëjtin park ne kemi mbjellë 640 pemë. Ndërsa numri i pemëve që do të mbillen sapo të mbarë rruga do të jenë 450 pemë, pra, numri i pemëve të prera do të zëvendësohet me një shumëfishim sapo të mbarojë rruga. Ky projekt është 100 për qind në interes të qytetarëve”, vijoi ai.
Hipotekimi i banesave
Kryebashkiaku Basha u shpreh qartë edhe për çështjen e hipotekave të banesave duke vlerësuar bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive. “Bashkia e Tiranës bashkëpunon me hipotekën dhe e ndjek procesin. Nuk ka asnjë qytetar të Tiranës nga plot 66 mijë qytetarë që kaun kontaktuar me bashkinë apo 902 qytetarë që janë takuar me mua personalisht, apo mbi 22 mijë qytetarë që kanë bërë kërkesë me shkrim që kanë thënë se kemi lejen e përdorimit por s’kemi titullin e pronësisë. Ndërsa ne kemi reduktuar dokumentet nga 32 në 12.5 prej subjekteve të listës së zezë kanë nisur aplikimet për të marrë lejet e përdorimit. Bashkia e Tiranës është në ndjekje të vazhdueshme dhe jemi në rrugë të zgjidhjes së problemeve. Mbi 5000 apartamente kanë marrë lejen e përdorimin dhe 21 mijë qytetarët e parë kanë fituar titujt e pronësisë. Bashkia Tiranë do të mbajë përgjegjësi për atë pjesë që kanë në tagrin e saj”, nënvizoi Basha.
Për studentët dhe furnizimin me ujë
Për kartën e studentit, Kryebashkiaku Basha theksoi se opozita do luftë politike dhe jo një debat qytetar. “Karta e është studentit është sot një realitet sepse ka 10 pika ku mund të aplikohet për universitetin publik, dhe më vonë për atë privat. Është një premtim i realizuar, natyrisht është një proces ky bashkia do t’i bëjë thirrje studentëve të regjistrohen sepse ka avantazhe dhe lehtësira sidomos ulje në telekomunikacion, në sportin financiar bankar dhe në shërbimin e transportit”, sqaroi basha.
Në përfundim Kryebashkiaku i Tiranës foli për furnizimin me ujë të banorëve të Tiranës. Ai tha se ka një angazhim maksimal nga Bashkia dhe Ujësjellësi për t’i shërbyer çdo familje me ujë të pijshëm. Por theksoi se të gjithë qytetarët duhet të kenë kontratë të rregullt dhe ti paguajnë detyrimet e tyre ndaj ujësjellësit. Ndërsa pjesa tjetër, tha Basha, ajo që aludohet në media, është pjesë e luftës politike. Ndërsa për taktikën e goditjes së arritjeve është një taktikë e dështuar.