E Diel, 1 Nëntor 2026

Brindizi; Transportoi 13 klandestinë me gomone, arrestohet 39-vjeçari Kulla



Një shqiptar është arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, i dyshuar si skafist i një gomoneje me klandestinë. Burime zyrtare të policisë në zyrën e Guardia di Finanza të Brindisit, u shprehën se personi i arrestuar është Eduard Kulla, 39 vjeç, lindur e banues në Vlorë. Kulla është tashmë nën akuzë zyrtare të “favorizimit të emigracionit të paligjshëm” dhe do të gjykohet nga drejtësia e Brindisit, në gjendje arresti me “burg pa afat”. Prokuroria e Brindisit tha se është provuar se Kulla së bashku me një person tjetër, kanë kryer një udhëtim nga brigjet e Vlorës në ato të Brindisit me 13 klandestinë shqiptarë, që të gjithë djem në moshë nga 20 deri 35 vjeç nga zona të ndryshme të Shqipërisë. “Eduard Kulla është organizator i nisjes së gomones për në Itali në mënyrë klandestine dhe ka drejtuar si skafist këtë mjet lundrues derisa ai arriti në Brindisi, ku dhe u lokalizua dhe u bllokua nga rojet bregdetare”, - bënë të ditur zyrtarë e prokurorisë së Brindisit. Ngjarja për të cilën u bë arrestimi i Kullës, sipas prokurorisë së Brindisit, ka ndodhur në tetor të vitit që kaloi. Gomonia u lokalizua në zonën e “Giancolas”. Sipas prokurorisë, 13 shqiptarët që u gjetën në gomone, u dërguan me tragetin më të parë që u nis po atë ditë që u zbuluan, me linjën Brindisi-Vlorë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›