E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau dy javë para dasmës Ervis Çapon, arrestohet 28-vjeçari

Vrasja që ndodhi dy javë më parë në qendër të Paskuqanit tashmë e ka një autor të dyshuar, dhe mesditën e djeshme policia e Tiranës konfirmoi arrestimin e tij. Shukri Damzi, 28 vjeç, banues në Kamëz, disa kilometra larg Tiranës, u arrestua nga seksioni Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit, bënë të ditur burime zyrtare nga policia e Tiranës. “I arrestuari akuzohet se pas një konflikti për motive të dobëta i mori jetën 27-vjeçarit Ervis Çapo, banues edhe ai në Kamëz”, - shtuan burimet e mësipërme. Ngjarja ndodhi më 19 korrik kur 28-vjeçari Shukri Damzi, pas një grindjeje të çastit, goditi me sende të forta viktimën e tij, Ervis Çapo, në prani të një personi të dytë për të cilin nuk ka ende të dhëna për shkallën e përfshirjes. Dëshmitarët okularë në vendngjarje ndihmuan të dëmtuarin Ervis Çapo duke i dhënë ndihmën e parë mjekësore dhe duke e dërguar atë në Spitalin Ushtarak Tiranë. Por, si pasojë e goditjeve të marra në pjesën e kokës, 27-vjeçari nuk mundi të jetonte duke gjetur vdekjen në spital, edhe pas ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore. Nga hetimet, u hodhën dyshimet se vrasja erdhi pas një konflikti të nisur mes dy të rinjve, pranë një furre buke. Autori e qëlloi viktimën e tij me një kaçavidë në mes të rrugës, fare pranë dyqanit të bukës duke i shkaktuar plagë të rënda. E gjithë ngjarja ndodhi në mes të ditës dhe në vend të rrahur nga banorët e zonës. Tani, pasi ra në pranga, 28-vjeçari Damzi akuzohet për konsumim të veprës penale të “Vrasjes me dashje”, e kryer në bashkëpunim. Ndërkohë nuk ka ende të dhëna për bashkautorin e dyshuar të krimit. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të shtetasit Shukri Damzi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme për konsumim të veprës penale të “Vrasjes me dashje” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 76 dhe 25 të Kodit Penal.

Ngjarja

Rreth orës 15:15 të 20 korrikut, 27-vjeçari Ervis Çapo sapo kishte dalë nga banesa e fejuarës së tij në Paskuqan dhe po kthehej në banesën e tij në lagjen Allias në kryeqytet. Ndërsa ndodhej ende në qendër të Paskuqanit, ku po lëvizte me automjetin e tij, është përballur me një tjetër automjet në të cilin po udhëtonin dy të rinj. Në bazë të deklarimeve të marra nga dëshmitarët policia tha se dyshohet se mes 27-vjeçarit Çapo dhe dy personave që ndodheshin në automjetin tjetër të identifikuar si Arben D. dhe Shukri D. ka nisur një sherr për parakalimin e automjeteve. Dy personat kanë dalë nga makina dhe pasi kanë shkëmbyer disa fjalë me 27-vjeçarin, e kanë goditur atë me kaçavidë në kokë duke e lënë të plagosur në automjet. Pasi masakruan të riun, dy personat u larguan me shpejtësi duke u shpëtuar prangave të policisë. Ndërkohë që dëshmitarët e ngjarjes transportuan me urgjencë Çapon në spital, por ai ndërroi jetë sapo mbërriti. Për ngjarjen u lajmërua policia e cila mbërriti menjëherë për të identifikuar dhe kapur autorët. Brenda pak orësh grupi hetimor mundi të identifikonte dy autorët e dyshuar kryesor të vrasjes së Ervis Çapos. Policia mori në pyetje dëshmitarët e ngjarjes të cilët deklaruan për motivin e ngjarjes. Nga hetimet e para rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje të çastit mes autorëve dhe të dëmtuarit që dyshohet të ketë qenë për shkak të parakalimit të makinave, - deklaruan burimet policore.

Dasma

Vrasja e 27-vjeçarit Ervis Çapo ka shokuar jo vetëm familjarët e tij, të cilët e kishin djalë të vetëm, por edhe të gjithë ata që e njihnin. Shokët e të riut tregojnë se ai ishte një djalë i urtë që nuk përzihej me njeri. Çapo ditën e vrasjes kishte qenë te e fejuara e tij në Paskuqan, me të cilën do të martohej më 15 shtator, por një grindje banale me dy persona të panjohur prej tij i shkaktoi vdekjen dhe gjëmën për familjen e tij. Ervisi ishte djali i vetëm i familjes Çapo, ndërsa ka edhe një motër më të vogël. “Ervisi ishte një djalë i urtë që nuk përzihej me njeri, ai kishte një aktivitet privat në të cilin punonte gjithë ditën. Do të martohej më 15 shtator, kur kishin prerë dhe ditën e dasmës”, - janë shprehur ditën e ngjarjes, por edhe pas saj, shokë, familjarë dhe të afërm të 27-vjeçarit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›