E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë; Aksidentoi për vdekje një shtetas, arrestohet Erion Sharli

Strukturat policore në Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin Erion Sharli, 25 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Sipas të njëjtave burime policore, arrestimi i tij u krye pasi tri ditë më parë në unazën e re të Kavajës, në afërsi të degëzimit të “Teferiçëve”, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, me targa EL 4322 B, ka aksidentuar për vdekje këmbësorin Edison Ibra, 34 vjeç, lindur dhe banues në Gramsh. U kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal.

Pogradec

Kapet qarkulluesi i kartëmonedhave false

Policia e Pogradecit ka vënë në pranga një 17-vjeçar me inicialet B. S., lindur dhe banues ne lagjen nr 1, Pogradec. Ky shtetas, sipas burimeve policore, është arrestuar pasi dyshohet se ka kryer veprën penale të “Vënies në qarkullim të kartëmonedhave të falsifikuara”. Pasi u diskutua me prokuroren e minorenëve dhe me oficerin e Policisë Gjyqësore që ndjek këtë procedim penal, ky shtetas do të procedohet në gjendje të lirë. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për hetime të mëtejshme.

Kakavijë

Vijon fluksi dhe radhët e gjata të emigrantëve

Rreth 8125 emigrantë shqiptarë kanë hyrë në vendin tonë përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, në rrethin e Gjirokastrës gjatë 12 orëve të fundit. Sipas burimeve zyrtare në këtë pikë doganore, gjatë 12 orëve të fundit kanë hyrë 8125 emigrantë shqiptarë, ndërkohë që numri i atyre që janë larguar nëpërmjet kësaj pike kufitare ka arritur në 2500, kryesisht emigrantë. “Në orët e para të mëngjesit fluksi i emigrantëve ka qenë tepër i lartë, ndërsa pas orës 10:00, situata është normalizuar krejtësisht”, - u shprehën burimet zyrtare, duke shtuar se “aktualisht në vendkalimin kufitar numri i sporteleve në hyrje ka shkuar në katër, nga gjashtë që ishte para orës 10:00”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›