Këshilltari i LSI-së: “Mjaft” të më kërkojë falje publike
Një prej anëtarëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Petrit Vargu, reagoi dje ndaj raportit të publikuar nga lëvizja “Mjaft” lidhur me punën e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Vargu shprehet se është e pavërtetë që ai është një ndër anëtarët që frekuenton më pak mbledhjet e Këshillit. Ai i kërkon “Mjaft”-it që të kërkojë falje, në të kundërt ai do të depozitojë një ndjekje penale ku do të kërkojë dëmshpërblim 10 milionë lekë për t’ua dhuruar fëmijëve të sëmurë. Nga ana tjetër, Vargu hedh dyshime se emri i tij është renditur ndër ata që i frekuentojnë më pak mbledhjet e Këshillit Bashkiak, sepse një javë më parë ka shprehur mendimin e tij të lirë për grupimin G99. “Tërheq vëmendjen për donatoret e organizatës "Mjaft", që të kontrollojnë të dhënat e kësaj organizate në mënyrë që djersa dhe mundi i taksapaguesve të huaj, dhënë donacion për popullin shqiptar të realizojë qëllimin më së miri. E ftoj organizatën "Mjaft" që të më kërkojë falje publike dhe të mos përdorë emrin tim në monitorime të gabuara”, - u shpreh Vargu. Sipas tij, “nëse organizata "Mjaft" nuk do të ndërmarrë një veprim të tillë, bashkë me avokatin tim, me hapjen e sezonit më datë 1 shtator, do të depozitoj padinë për ndjekje penale dhe do të kërkoj 10 milion lekë shpërblim për dëmin moral. Për dëmin që më ka krijuar kjo organizatë për një punë që unë e bëj me shumë devotshmëri dhe pasion. Kjo shumë nëse unë do të fitoj gjyqin do të shkojë si kontribut për fëmijët talasemikë, që janë një problem shumë i madh në mjekësinë shqiptare”, - përfundoi Vargu.