Zvicër; Gjykata e Bazelit dënon dy shqiptarë për vrasjen e një shtetasi
“Gjykata kantonale e Bazelit dënoi dy shqiptarë me masa dënimi nga tre vjet e gjysmë burgim për vrasjen e një shtetasi kamerunas. Dy shqiptarët e moshës 27 dhe 23 vjeç e kishin mohuar vrasjen e shtetasit kamerunas, mirëpo argumentet e gjykatës e vërtetuan krimin e bërë nga ata”, - njofton agjencia e lajmeve INA. “Motivi i vrasjes kishte të bënte me huazimin e të hollave, të cilat kamerunasi i kishte marrë nga shqiptarët dhe që këta të fundit e rrëmbyen dhe e vranë më pas atë. Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria i kishte besuar pjesërisht një dëshmitareje, e cila kishte pasur marrëdhënie me të dënuarin më të ri, dhe e cila kishte pohuar se kishte qenë shpesh e pranishme në afera të tilla", - njoftoi policia zvicerane, duke shtuar se kufoma e viktimës ishte gjetur nga kalimtarë të rastit më datë 11 mars të vitit 2006 në një pyll. Gjykatësi hetues e argumentoi dënimin edhe me disa telefonata të cilat i kishte përgjuar Interpoli. Sipas analizave të mjekësisë gjyqësore, ndaj kamerunasit ishte përdorur dhunë, duke i shkaktuar vdekjen.