E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hallunaj: Jo gjykim të shkurtuar për krimet e rënda

Të mos zbatohet më gjykimi i shkurtuar për personat që kanë kryer krime të rënda dhe për këtë gjë të ndërmerret një iniciativë për ndryshme në Kodin e Procedurës Penale. Një ide e tillë është hedhur dje nga kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, i cili e sheh si një domosdoshmëri këtë ndryshim, pasi persona që kanë kryer krime të rënda, mjafton që të kërkojnë zbatim të gjykimit të shkurtuar dhe gjykim në gjendjen që janë aktet, u shpëtojnë dënimeve të rënda, duke përfituar uljen e 1/3 së dënimit. Ndonëse pranimi i kësaj kërkese parashikon ekonomi gjyqësore, është duke u përfituar edhe nga persona që nuk duhet ta përfitojnë, të cilët kërkojnë të gjykohen në gjendjen që janë aktet, me qëllim përfitimin e uljes së dënimit. Këtë ulje e përfitojnë të gjithë të pandehurit që akuzohen për vrasje, trafik droge apo dhe vjedhje me armë, shpesh madje duke i shpëtuar edhe dënimit me “burgim të përjetshëm”. Pikërisht për këtë arsye, kreu i kësaj gjykate parashtron një alternativë të tillë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, madje duke e hedhur në letër si ide shumë muaj më parë, në Librin e Bardhë të fushatës së KLD-së. Dritan Hallunaj ka shprehur mendimin në këtë libër muaj më parë, para se të ulej në karrigen e kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, se Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale kanë nevojë për ndryshime të këtij lloji, me qëllim dhënien fund të përfitimeve të masave të ulëta të dënimit nga ana e të pandehurve, në mënyrë specifike për ata që akuzohen për krime të rënda. Një nga të pandehurit që ka mundur t’i shpëtojë burgimit përjetë, duke kërkuar të gjykohet në gjendjen që janë aktet, është edhe krahu i djathtë i kapobandës së Lushnjës, Enver Dondollaku, i cili u dënua vetëm 25 vjet burg për një sërë krimesh në qytetin e tij në vitin 1998. Por, gjykimi i shkurtuar dhe moszbatimi i tij për krime të rënda, duke parashtruar si ide disa ndryshime në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, nuk ka qenë i vetmi ndryshim që ka kërkuar kreu i gjykatës, Dritan Hallunaj. Sipas tij, në kod ka vend edhe për ndryshime të tjera, një prej të cilëve është edhe roli i avokatëve në seanca dhe mungesat e shpeshta të tyre në to.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›