E Diel, 1 Nëntor 2026

Britani, hiqet nënshtetësia për mashtruesit

Ministria e Brendshme britanike, Home Office, ka nisur të vendosë në zbatim amendamentet që iu shtuan gjatë këtij viti ligjit për heqjen e nënshtetësisë britanike personave që e kanë përfituar atë përmes mashtrimit. Ky hap ndërmerret në kuadrin e një sërë masash shtrënguese që kanë të bëjnë me shkelësit e ligjit të emigracionit, të cilët u përkasin nacionaliteteve të ndryshme në Britaninë e Madhe. Sipas ekspertëve për çështjet e emigracionit, janë me mijëra personat që nëpërmjet mashtrimit kanë fituar leje qëndrimi dhe më pas nënshtetësinë britanike. Gjykata e azilit dhe emigracionit në Londër, dy ditë më parë, e ka cilësuar si të drejtë kërkesën për heqjen e nënshtetësisë britanike të një emigranti shqiptar. Ndërkohë, në këtë gjykatë pritet shqyrtimi i rasteve të ngjashme. "Top Channel" ka mundur të sigurojë një kopje të vendimit të kësaj gjykate, nga e cila mësohet se emigranti Alfred Qinani kishte apeluar në këtë gjykatë refuzimin e vizës së bashkëshortes. Ky apel ka shërbyer për ambasadën britanike në Tiranë si pikënisja e një hetimi për Qinanin rreth mënyrës se si ai kishte mundur të përfitonte nënshtetësinë britanike dhe njëkohësisht për bashkëshorten e tij për paraqitje të dokumentacionit të rremë gjatë aplikimit për vizë. Zv.presidenti i gjykatës së azilit dhe emigracionit që shqyrtoi këtë çështje, në paragrafin e fundit të vendimit thotë: "Nuk ka asnjë dyshim se faktet në këtë çështje janë të vërteta. Po ashtu nuk ka asnjë dyshim se sponsorit të vizës i është dhënë një pasaportë e rregullt britanike. Por është një pasaportë e rregullt që përmban të dhëna të falsifikuara". Gjykatësi i tha emigrantit shqiptar, Alfred Qinani, se përfaqësuesja e Home Office në këtë proces, zonja Tanner, i kishte dorëzuar trupit gjykues vendimin e marrë për heqjen e nënshtetësisë sipas nenit 40 të ligjit për nënshtetësinë britanike, miratuar në vitin 1981. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›