E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen virozat, asnjë raportim për AH1N1

Shtohen virozat e stinës, por pakësohet informacioni lidhur me raportimin e monitorimit të situatës epidemiologjike në vendin tonë. Për gati më shumë se një muaj, Instituti i Shëndetit Publik nuk ka kryer më raportime lidhur me ecurinë e prekjes së qytetarëve nga infeksionet e frymëmarrjes, grupmoshat më të prekura apo edhe rastet e reja të konfirmuara me gripin e derrit. Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi pak kohë më parë monitorimin e situatës lidhur me mundësinë e kombinimeve të viruseve mes tyre. Kjo ishte një nga punët që shëndetësia duhet ta shikonte me prioritetet, ndërkohë që raportimi i rasteve mbetet thjesht pjesë e procedurave. Deri para një muaji shqiptarët kanë njohur si shifër zyrtare të të prekurve nga gripi i derrit 31 persona. Kjo shifër u konfirmua nga Instituti i Shëndetit Publik. Deri atëherë asnjë raportim tjetër nuk është kryer nga ISHP, duke argumentuar se nuk ka pasur zhvillime të mëtejshme. Disa probleme lidhur me virozën, infeksionet apo edhe gripi AH1N1, mbeten ende të pazgjidhura edhe pse ndodhemi në sezonin e zhvillimit të virozave sezonale. Urdhri i Infermierëve ka kërkuar pak kohë më parë marrjen e masave për maska e mjete mbrojtëse për personelin mjekësor në të gjithë vendin, për të shmangur infektimin gjatë qëndrimit në punë.

Mjetet mbrojtëse

dhe antiretroviral

Masat mbrojtëse janë të nevojshme për të gjitha spitalet, qendrore apo rajonale, qendrat shëndetësore poliklinikat në të gjithë vendin. Furnizimi nuk ka qenë gjithëpërfshirës për këtë dhe Urdhri i Infermierëve ka kërkuar marrjen e masave, sidomos në një situatë ku ka evoluim të infeksioneve, punonjësit e shëndetësisë duhet të jenë të parët që të mbrohen.

Antiretrovirali, i njohur ndryshe si Tamiflu, nuk ka mbërritur ende në dyert e Shqipërisë. Ato doza të cilat ruheshin për gati dy vjet e gjysmë rezultuan të kishin humbur efektivitetin për shkak se i ka kaluar afati i skadencës. Për antiretroviralët me të cilët trajtohen rastet e dyshuara me grip derri, është gjetur zgjidhja alternative mes strukturave shëndetësore, në mungesë të përdorimit të stokut të skaduar.

Në një kohë kur gripi i zakonshëm, virozat e stinës, apo edhe gripi i derrit, përshkruhen si shkaktarët kryesorë të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes, një tjetër kërkesë ka mbetur pa u përmbushur.

Aparaturat e quajtura respirator, të cilat nevojiten për insuficiencën e frymëmarrjes, nuk janë të instaluara në shërbimet kryesore të qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza". Po ashtu nuk janë pjesë e pajisjeve mjekësore, edhe në disa nga qendrat spitalore në të gjithë vendin.

Këto pajisje janë të vendosura në listën e prioriteteve për masat që duhet të marrin autoritetet shëndetësore në të gjithë botën.

Laboratori i virologjisë

Për laboratorin e virologjisë fondet janë dhënë rreth dy vjet më parë, që me shfaqjen e gripit të shpendëve. Rikonstruksioni i këtij laboratori, pajisjet e reja dhe e gjithë infrastruktura tashmë duhet të ishte bërë gati. Sipas përfaqësuesve të Institutit të Shëndetit Publik, ky laborator do të jetë gati dhe do të përurohet shumë shpejt. Numri zyrtar i të prekurve nga gripi i derrit deri në datën 19 shtator në vend është 31. Mostra për ekzaminime dërgohen çdo ditë pranë laboratorit të Institutit të Shëndetit Publik.

Ka mungesa të kampioneve në ekzaminimin e moshave pediatrike, ndërkohë brenda muajit tetor, Laboratori i Virologjisë pranë ISHP-së do të plotësojë të gjitha standardet në aparatura dhe logjistikë për t‘i kryer vetë të gjitha ekzaminimet, edhe ato për AH1N1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›