E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britani, i kërkuari shqiptar, Selami Çokaj, drejt ekstradimit



Britania pritet të ekstradojë një tjetër të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare. Selami Çokaj kërkohet nga vendi ynë, pasi akuzohet për një vrasje të kryer në vitin 1994. Tri ditë pas lajmit se gjykata në Londër kishte vendosur sjelljen në Shqipëri të Ilir Kumbaros, një tjetër i kërkuar do të niset drejt vendit tonë. Një muaj pas ardhjes së ministrit të Brendshëm të Anglisë, i cili premtoi bashkëpunim me strukturat shqiptare për të sjellë në vend të gjithë personat e kërkuar nga drejtësia që fshihen në shtetit ishullor, po duken frytet e para të bashkëpunimit.

Sipas mediave angleze, Çokaj aktualisht ndodhet në qeli në pritje të vendimit për deportimin e tij në Shqipëri, ku ai u arratis pas hapjes së burgjeve në 1997.

Ai u arrestua në Mansfield muajin e kaluar dhe u dërgua në Londër për t’u përballur me gjykatën e qytetit Westminster më 3 shkurt. Një zyrtar në Ministrinë e Brendshme u shpreh se Çokaj nuk do të ekstradohet derisa të merret një vendim për kërkesën e tij për azil politik. Por, pritet që azili të refuzohet dhe i kërkuari shqiptar të sillet për në Shqipëri, për të vuajtur dënimin. Policia britanike ndaloi Selami Çokajn, i cilësuar si një prej kriminelëve të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, i cili kishte arritur që të fitonte azil politik me identitet të rremë në 3 shkurt të këtij viti. 34-vjeçari kishte 11 vjet që jetonte në Angli. Çokaj, i cili iu ka shpëtuar prangave, pasi u arratis nga burgu në trazirat e vitit 1997, akuzohet për vrasjen e një personi në vitin 1994, si dhe për kryengritje të armatosur e vendosje eksplozivi. Sipas mediave britanike, 34-vjeçari njihet në Angli me një tjetër identitet, Valtron Gashi. Ai është një nga 100 kriminelët më të kërkuar të Evropës, që jeton në Angli me identitet fals. Çokaj ka deklaruar gjithmonë se “është një gabim që ka ndodhur me identitetin e tij dhe se ai nuk është vrasës”. Pra, ai mohon të jetë Selami Çokaj. Por pas investigimit të bërë nga gazetarët anglezë, Çokaj u çua në qeli, ku doli para gjykatës dhe ku ndodhet aktualisht. Në ditët në vazhdim pritet që ai të sillet në Shqipëri, pasi gjykata londineze ka vendosur ekstradimin e tij. Ndërkohë që hapi përfundimtar do të kryhet pas vendimit për kërkesën në lidhje me azilin e kërkuar prej tij. Sipas mediave angleze, ajo do të refuzohet, duke bërë që 34-vjeçari të sillet në vend, ku të vuajë dënimin. Tri ditë më parë gjykata angleze vendosi për ekstradimin e një personi tjetër, të kërkuar nga drejtësia e vendit tonë, Ilir Kumbaros. Në vendin ishullor janë rreth 100 personat e kërkuar nga shteti shqiptar, që kanë gjetur strehë aty. Një problem i tillë është diskutuar edhe në mediat angleze, të cilat kanë paraqitur disa persona të kërkuar për vrasje, që lëvizin lirisht dhe jetojnë nga asistenca e dhënë nga shteti britanik. Në vizitën që ministri i Brendshëm i Mbretërisë së Bashkuar bëri në Shqipëri para disa javësh, premtoi që do të ndihmonte në ekstradimin e të kërkuarve nga shteti shqiptar. Dhe një muaj pas ardhjes së tij, pritet që dy persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare të ekstradohen në vendin tonë. Ndërkohë që në Britani, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, numri i të kërkuarve është rreth 100 persona.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›