Sarandë, fshatrat pa energji deri në 10 orë në ditë
Sarandë - Po bëhet më shumë se një javë që zona prej më shumë se 3 komuna e me dhjetëra fshatra po përjetojnë ndërprerje të energjisë elektrike.
Sipas banorëve që jetojnë në këtë zonë, ndërprerjet e energjisë elektrike shkojnë deri në 10 orë në ditë, duke filluar në orën 9:00 të mëngjesit deri në 19:00, çka ka çuar në vështirësi të shumta për bizneset e kësaj zone, si dhe lokalet e shërbimit, të cilat punojnë me bazë ngrohëse dhe përpunuese nxehtësinë e energjisë elektrike.
Drejtori i elektrikut Sarandë, Arben Kasapi, u shpreh "se ndërprerjet e këtyre ditëve janë bërë për shkak të remonteve në linjat e transmetimit të energjisë, periudhë që ka zgjatur rreth pesë ditë, e që do të zgjasë edhe për disa ditë të tjera".
Në këtë zonë bëjnë pjesë edhe dhjetëra biznese të zonës së Vrionit, të cilat e kanë ndier mungesën disaditore të energjisë elektrike.
Në këto ditë me temperatura të ulëta, si në ditë dimri, nevoja e furnizimit me energji elektrike që siguron ngrohjen e lokaleve të shkollave, kopshteve, zyrave etj është e domosdoshme, shprehen banorët, teksa thonë se nëse do të bëhet fjalë për remonte të linjave, drejtuesit duhet t'i planifikojnë t'i bëjë në mot më të mirë dhe pa reshje.