Elbasan, rrëshqitjet e dheut, shumë fshatra në alarm
Kryekomunari Luan Kokla deklaroi se në fshatin Kalaj rrëshqitjet rrezikonin 60 shtëpi, përfshirë shkollën
ELBASAN- Fshati Kalaj në komunën Kukur të Gramshit është përfshirë nga rrëshqitjet e dherave. Nga deklarimet e banorëve dhe të kreut të komunës Luan Kokla rrëshqitjet rrezikojnë 60 shtëpitë e këtij fshati përfshirë edhe shkollën.
Sipas kreut të komunës është dëmtuar aktualisht një shtëpi, një lokal dhe është në rrezik edhe shkolla. Ai ka deklaruar se për këtë arsye mësimi është pezulluar.
Sipas të dhënave nga Prefektura e Qarkut Elbasan, ky fshat ka qenë i përfshirë më parë nga shembja e dheut dhe kjo ka ardhur për shkak të ujëravë nëntokësore. Kreu i Shtabit të Emergjencave Civile në Elbasan Mustafa Arapi tha se në bazë të kontakteve në këtë zonë ka rrëshqitje dheu, por nuk ka shtëpi të dëmtuara.
Sipas tij ka rrezik për këta banorë, por duhet ndjekur në ditët në vazhdim avancimi pasi aktualisht shembjet janë larg shtëpive të banuara. Nga prefektura dhe Këshilli i Qarkut pritet të niset drejt Kukurit një ekip për të verifikuar situatën në vend.
Brenda 3 ditëve në këtë fshat do të mbërrijnë edhe specialistët e qarkut për të vlerësuar dëmet nëse ka të tilla dhe situatën reale atje.
Ndërkohë në fshatin Shkëndijë në Belësh banorët ankohen se liqeni është tejmbushur me ujë dhe po rrezikon disa prej familjeve. Gjithsesi, me gjithë tejmbushjen, sasia e ujit ende nuk ka mbërritur tek shtëpitë.
Të përmbytura janë vetëm disa kasolle e bodrume. Mësohet se veç shirave të shumta, një shkak tjetër i fryrjes së liqenit është prishja e një ujëshkarkuesi. Për riparimin e tij janë duke punuar specialistë të Ujërave. Pritet që situata të normalizohet edhe me ndaljen e reshjeve.
Shtëpi të dëmtuara rezultojnë prej vitesh edhe në fshatin Godolesh të komunës Labinot në rrethin e Elbasanit. Banorët kanë nënshkruar sëbashku një letër drejtuar kryeministrit Berisha për sistemimin e tyre. Janë gati 15 shtëpi që kanë pësuar dëmtime, ndërsa banorët vazhdojnë të qëndrojnë aty, pasi nuk kanë vend tjetër ku të shkojnë.
Banorët e Qafë-Dardhës në komunën e Polisit janë edhe më të dëmtuarit nga rrëshqitjet e vazhdueshme të dherave. Ndërsa shtëpitë e tyre po bëhen vazhdimisht të pabanueshme, për ta nuk është ofruar qoftë edhe një zgjidhje.
Ata kanë pranuar edhe një shpërblim me shuma të vogla parash që të lëvizin e të ndërtojnë një shtëpi në Librazhd ose në rrethina ku mund të gjendet një vend për ta. Janë rreth 25 famije që presin një zgjidhje pasi do të duhet të zhvendosen shumë shpejt që aty.