Hasani: Kam qenë i dehur kur qëllova ndaj policëve
Afrim Hasani, i akuzuar për vrasjen e dy inspektorëve të Qarkullimit Rrugor në Kukës, deklaroi gjatë marrjes në pyetje se ai në momentin e kryerjes së krimit ka qenë i dehur. 34-vjeçari u mor në pyetje ditën e djeshme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe pohoi se nuk mbante mend asgjë nga ngjarja e ndodhur. Ndërkohë që Gjykata e Krimeve të Rënda pritet të japë masën e sigurisë për vrasësin e dy punonjësve të Policisë Rrugore, Afrim Hasani.
Sipas burimeve nga gjykata, masa pritet që të zhvillohet në orën 12:30 të paradites së sotme. Hasani akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për vrasjen e efektivave, Shkëlzen Dobrushit dhe Ramadan Hilës.
Kontrolli i dokumenteve të automjetit të Afrim Hasanit ka qenë edhe motivi i lindjes së konfliktit që çoi në vrasjes e dy inspektorëve të Qarkullimit, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila. 34-vjeçari ishte shndërruar në person problematik për fshatin, ndërkohë që konsumonte edhe pije të shumta alkoolike. Dy policët e Qarkullimit Rrugor kanë ndaluar automjetin, duke e bllokuar atë, ndërkohë që edhe kësaj radhe kanë hasur në rezistencën e Afrim Hasanit. Të nesërmen policia ka bërë një kontroll në shtëpinë e tij, por Hasani nuk ndodhej në shtëpi. Policët kanë bërë kallëzim ndaj tij, ndërsa Prokuroria e Kukësit ka nisur procedimin penal, ndërkohë që Afrim Hasani është shpallur person në kërkim. Afrim Hasani me anë të personave të tjerë u kishte thënë dy inspektorëve që të tërhiqnin padinë ndaj tij, ose ai do t’i vriste. Por, dy inspektorët nuk janë tërhequr, ndërkohë që Hasani ishte shpallur në kërkim. Ai i ka parë ata ndërsa ishin në një lokal dhe me një automatik në dorë u është afruar, duke i qëlluar me breshëri dhe duke i vrarë ata.