E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmues i Dinamos, nën akuzë për "trafikim automjetesh"

Sebino Plaku e ka mohuar njoftimin zyrtar të policisë së Korçës, duke u shprehur se duhet të jetë një keqkuptim

TIRANË - Policia e Korçës njofton hetimin e Sebino Plakut, sulmues të Dinamos, ndërsa ky i fundit mohon gjithçka duke u shprehur se duhet të bëhet fjalë për një keqkuptim. Gjithçka ka ndodhur dje, ndërsa burimet zyrtare të bluve u shprehën se të mërkurën në Qafë-Thanë është realizuar kapja e një automjeti të vjedhur në Itali, e markës "BMV", me targa "CV 452 YM".

Automjeti, rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Sebino Plaku, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Shtetasi Bujar Plaku, sipas policisë, do të hetohet në gjendje të lirë deri në përfundim të verifikimeve të plota në sistemin e Interpolit lidhur me të dhënat e mjetit, për veprën penale të "trafikimit të mjeteve motorike". Nga ana tjetër, i kontaktuar, sulmuesi me nr.11 i Dinamos është shprehur se gjithçka e cituar nga policia nuk ka qenë e vërtetë.

"E përjashtoj plotësisht përfshirjen e personit tim në këtë çështje. Për më tepër dhe atë të babait tim. Unë kam qenë gjatë gjithë kohës me babanë tim atë ditë dhe s'e kuptoj nga vijnë këto akuza.

Duhet të ketë ndonjë keqkuptim në këtë mes, të cilin unë s'mund ta konstatoj se ku qëndron, por di vetëm të them edhe një herë që s'kam asnjë lidhje me këtë ngjarje",- ka këmbëngulur Sebino Plaku, autori i 14 golave në superligën shqiptare gjatë sezonit 2008-2009.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›