Përplasje me mjekët në maternitet
Të afërmit e një pacienteje në gjendje të rëndë, rrezikuan fëmijën dhe nënën duke këmbëngulur që gruaja të operohej nga një mjeke tjetër
Ndërhyrja e drejtorit Halim Kosova dhe mbërritja e policisë, qetëson familjarët. Gruaja lind një fëmijë nën peshë
TIRANE- Incident në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë" në kryeqytet, pranë stacionit të trenit. Familjarët e një gruaje shtatëzënë, 24- vjeçare që pritej të lindte dhe që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore kanë ushtruar presion mbi mjekët dhe gjinekologët e këtij materniteti.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për rastin e pacientes D.A, 24 vjeçe nga Puka, e cila ishte e shtruar prej disa ditësh në spitalin obstetrik- gjinekologjik "Mbretëresha Gerladinë", kur dy mjeket roje, Shpresa Metushi dhe Engjëllushe Dobrati, janë lajmëruar për gjendjen e vështirë shëndetësore të 24- vjeçares nga Puka dhe kanë kërkuar që ajo të futej menjëherë në sallën e operacionit, për të shpëtuar jetën e saj së paku.
Për jetën e fëmijës, sipas mjekëve, do të të shihej më vonë pas operacionit pasi sipas tyre, për shkak të gjendjes dhe sëmundjes së gruas, ndërhyrja mund të bënte që fëmija të mos rronte. Madje pretendimi i familjarëve të të dëmtuarës, sipas burimeve lidhej me një problem që një nga mjeket kishte pasur me një pacient më parë, por që më pas gjithçka ka qenë sqaruar pas verifikimeve të kryera.
Por ky informacion i dhënë të afërmëve të gruas ka acaruar këta të fundit të cilët kërkonin me këmbëngulje mbijetesën e fëmijës. Një situatë e tillë është pohuar edhe nga drejtori maternitetit, Prof. Dr.
Halim Kosova, i cili ka pohuar se gjendja e nënës së re ishte e rëndë përpara ndërhyrjes. Zgjidhja ka qenë me gjetjen e një ekipi tjetër mjekësh që kanë kryer operacionin duke shmangur në këtë mënyrë edhe debatet me familjen ndërsa aty është dashur të mbërrinte edhe policia e komisariatit nr.3 në kryeqytet.
Madje sipas burimeve të spitalit gjinekologjik "Mbretëresha Gerladinë", këmbëngulja dhe presioni i të afërmëve të gruas ka qenë aq i madh sa i kanë kërkuar mjekëve që nëse njeriu i tyre futej në sallë, ose të dilte edhe nëna me fëmijën gjallë, në të kundërt duhej të vdisnin të dy. Një presion i tillë nëpërmjet një kërkese të çuditshme ka detyruar personelin e spitalit Obstetrik- Gjinekologjik të kërkonin ndihmën e policisë.
Sipas tyre, presioni i të afërmëve të pacientes ishte shumë i lartë, sa që në fakt rrezikohej jeta e vetë gruas. Vetëm pas mbërritjes së policisë pjesëtarët e familjes së pacientes janë detyruar të ulin presionin ndaj personelit mjekësor dhe të lënë mjekët në punën e tyre.
Lajmi është bërë i ditur nga burime të maternitetit, si dhe nga zyrtarë të tij të cilët janë shprehur të shqetësuar në lidhje me rastin në fjalë.
Duke qenë e gruaja e re rrezikonte jetën për shkak të një sëmundjeje në veshka, kirurgët gjinekologë kanë menduar futjen e gruas në sallën e operacionit dhe së paku mund të shpëtohej jeta e gruas dhe më pas e fëmijës mund të shikohej për më tej.
Për fatin e mirë të saj, gruaja është operuar gjatë ditës së djeshme Një situatë e tillë më pas është zgjidhur nga vetë drejtori i maternitetit, i cili ka ndërhyrë drejtpërdrejt, duke caktuar një ekip tjetër mjekësh.
Dje mësohet se gruaja shtatzënë ka lindur fëmijën e saj, duke shmangur edhe komplikacionet. Fëmija i lindur sipas Kosovës, është në peshë të vogël rreth 1.2 kg dhe se ishte në reanimacion, për shkak të gjendjes jo të mirë. Sipas Kosovës, pas përfundimit të operacionit dhe lindjes së fëmijës, edhe të afërmit e pacientes janë qetësuar dhe sqaruar mbi gjithçka duke mbetur të kënaqur.
Dashamir Biçaku