Modeli njerëzor krijohet, nuk importohet
Nga Bedri Çoku
Të gjithë shqiptarët që kanë ndjekur emisionin “Opinion” ditën e martë, me temë “Modeli i rinisë shqiptare, sot”, besoj janë çuditur, kur në panelin përballë dy të rinjve, me kulturë perëndimore e të shquar në mjediset rinore sot, ishin vendosur dy njerëz çuditërisht me bindje dhe të kaluar krejt ndryshe nga njëri-tjetri, natyrisht edhe me prirje krejt të ndryshme në pozicionin shoqëror e politik të kohës, por që asnjëri dhe as tjetri në jetën e tyre, aq më tepër në rininë e tyre, nuk kanë pasur ndonjë model, që të ketë lënë mbresë, për t’ua dhënë brezave të tjerë. Pra, ishin një “...çun i rritur në mjediset e Bllokut të udhëheqjes komuniste, me të gjitha privilegjet e kohës, brenda “kështjellës së fortë të proletariatit botëror” dhe sot analist i njohur në saj të mediave të urdhëruara për ta bërë të tillë me patjetër dhe tjetri, rritur në mëhallat e Tiranës, pa qenë asnjëherë problem për mjedisin shoqëror e politik të regjimit të kaluar” . Tema ishte vërtet interesante dhe shumë e dobishme. Të kërkosh modelin e një brezi të ri, natyrisht është sa njerëzore, aq edhe atdhetare. Por ta ngresh këtë si një problem kombëtar, pa iu referuar historisë së brezave të mëparshëm, të cilët kanë pasur apo jo shembuj të spikatur për vlerat demokratike e kombëtare, por vetëm siç e mendon dhe e dëshiron x e y, ngaqë janë njerëz publik, kjo është vërtet për të ardhur keq për emisionin, i cili, për mendimin tim, jo vetëm që nuk pati asnjë dobi për ata që e ndiqnin dhe ndonjë prurje demokratike, përkundrazi, diskreditoi të dyja palët e paraqitura për “modelin e dëshiruar të rinisë shqiptare, sot”. Së pari, sepse “për këtë model” ishte dhënë disa ditë më parë një emision tjetër, i pari në llojin e vet, me të rinjtë e të gjitha ngjyrave politike dhe, për këtë, nuk e teproj po të them se unë, si shumë shqiptarë të tjerë të lodhur ndër dekada nga propaganda komuniste, gati sa nuk nxora zorrët teksa dëgjoja të rinjtë e “brumosur me mësimet e partisë e të udhëheqësit të tyre të dashur”.
Këto janë skandale të kohës! Por përse ndodh kështu?
Cilindo që ka bindje tek ëndrra e një Shqipërie të lirë e demokratike, trishtohet nga këto përpjekje infantile e cinike të mediave tona për të kërkuar një model, pa e ditur ose pa dëshiruar që t’u nënshtrohen rregullave që ndiqen në të tilla raste, për të formësuar apo gjetur modelin e dëshiruar të një shoqërie, veçanërisht, të rinisë.
Gjatë gjithë emisionit nuk dëgjova të bëhej qoftë edhe shkaras analiza se nga vjen e ç’prejardhje ka ky brezi i rinisë së sotshme? Me çfarë modeli po rritet e edukohet? Sa ndryshon nga modeli i rinisë së mëparshme, d.m.th., e rinisë në regjimin komunist, të cilin populli e hodhi poshtë me neveri? Po nga rinia antikomuniste? Sa e ndërgjegjshme është rinia e sotshme për epokën ku janë rritur dhe edukuar prindërit e gjyshërit e tyre? Dhe, pastaj, të kërkohen rrënjët e modelit të sotshëm. Si mund të flasësh për një model të ri e demokratik të rinisë shqiptare, e cila ende jeton me prindërit e lavdishëm të një epoke nostalgjike, e cila jo vetëm që nuk është sharë e denigruar, ashtu siç e meriton, por as është kritikuar qoftë edhe një herë në emisione të tilla, si një shqetësim kombëtar, sepse nga filmat dhe rrëfimet e prindërve, gjyshërve e gjysheve komuniste, ajo ndriçohet ende sot e kësaj dite, si një epokë që i dërrmoi kundërshtarët e regjimit, që ndërtoi dhe lulëzoi Shqipërinë, që ndërtoi me sukses të plotë socializmin, që nuk ka pasur kundërshtarë politikë, por veç armiq të Shqipërisë e të popullit, që u drejtua nga partia e lavdishme komuniste, me udhëheqës legjendarë në krye, fotografitë e të cilëve nuk mungojnë, gati çdo ditë, “me program pune”, sa në njërën gazetë, në tjetrën, sa në një ekran, në tjetrin... ashtu, të bukur, të qeshur e të ditur për gjithçka... Detyrimisht që besnikëria ndaj partisë do të jetë edhe sot e kësaj dite ajo që i lartëson njerëzit, të rinj e të rritur, që mbushin sallat e mbledhjeve, tribunat e mitingjeve, deri në postet e larta qeveritare... A nuk ka qenë dhe është i fuqishëm sot lajtmotivi i jetës se kush merret me politikë, me biznes, me prostitucion e me shitjen e drogës, qoftë edhe injorant apo debil, bëhet i pasur, deputet dhe qeveritar i rëndësishëm? Me logjikën e vetme se po të jesh i pasur, deputet apo qeveritar, detyrimisht je edhe me imunitet, i fortë politikisht dhe administrativisht.
Prita që nga politikani i “mëhallës” të kishte qoftë edhe një indicie për të thënë: More, dale njëherë, kemi apo s’kemi shembuj nga rinia jonë, të çfarëdo kohe qoftë, për të pasur një lloj modeli për rininë e sotshme. Sepse modeli nuk vjen nga jashtë, me porosi dhe me direktiva nga ndërkombëtarët. Modeli krijohet me luftë me përpjekje, me sakrifica, qofshin këto edhe me flijime për të arritur në vlerat e vërteta demokratike e atdhetare. Pse të kujtojmë rininë e Francës se ç’bëri ajo në vitin 1968, që luftoi për idetë e Konfucit e të Mao Ce Dunit, pa le të kujtojmë më mirë rininë tonë para dhe gjatë regjimit të egër komunist, sepse ka pasur shembuj nga më të çuditshmit dhe më heroikët që ka njohur ky vend, shembuj realë dhe jo të krijuar për efektet e një politike mashtruese e pushtetmbajtëse? Të rinj që vuajtën nëpër burgje dhe kampe internimi, që u pushkatuan apo u varën në litar pse luftonin diktaturën dhe mbronin vlerat e demokracisë e të drejtat e njeriut. Mbronin pronën private. Lirinë e fjalës e të mendimit. Sepse kjo liri e demokraci që po përpiqemi të forcojmë sot, nuk ka asnjë të ardhme pa dënuar me ndërgjegje të plotë atë çka u përmbys me aq sakrifica të pashembullta në botë. Nëse nuk luftohet për drejtësi, nëse nuk dënohen ata që ushtruan diktaturën dhe vlerësohen ata që u sakrifikuan për ta përmbysur atë, modeli mbetet ai i rinisë së kohës së shkuar, i servilizmit dhe i besnikërisë ndaj udhëheqësve të partisë... Nuk ndërtohet demokracia dhe nuk do të ketë model rinia e sotshme, nëse ajo vazhdon të rritet dhe edukohet servile e politikës, si paraardhësit e tyre, kur ajo ende drejtohet dhe frymëzohet nga nostalgjikët e diktaturës komuniste... kur kjo rini e sotshme ende nuk e di të kaluarën e prindërve të saj me komplekset e fajit e të krimit dhe nuk e ka dënuar qoftë edhe një herë të kaluarën e prindërve e të gjyshërve që ushtruan diktaturën më të egër në botë... Një rini që nuk njeh veten e vet, nuk di historinë e prejardhjes së vet, që mburret ende me historinë kriminale të të parëve të vet... s’ka se si të ketë një model...”
Ndërsa nga tjetri nuk prisja më shumë nga ç’tha, sepse ai ende nuk e ka dhënë shembullin e vet, si shumë të tjerë, shokët e tij të Bllokut, për të dënuar krimet e komunizmit, sepse ka dënuar vetëm ato të nacionalizmit shqipta