E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: Përgatitja e zgjedhjeve, në dorë të qeverisë

Një ditë pas miratimit të Kodit Zgjedhor, PS-ja kërkoi zbatimin e tij në mënyrë sa më të drejtë nga ana e qeverisë. Sekretari organizativ i kësaj partie, Blendi Klosi, deklaroi se vota pro e Partisë Socialiste ndaj Kodit Zgjedhor ishte për të bërë detyrën e saj, por tani fillon faza e dytë e procesit, që lidhet direkt me detyrat që i takojnë qeverisë. “Përgjegjësia jonë deri dje ishte të realizonim Kodin, sot e deri në zgjedhje është të mos e lejojmë Sali Berishën dhe qeverinë e tij ta rrezikojë vënien në jetë të tij, duke iu shmangur përgjegjësisë kushtetuese e ligjore për të garantuar infrastrukturën zgjedhore”, - tha Klosi. Sipas socialistëve, tani qeveria duhet të japë përgjigje për përfundimin e regjistrit kombëtar elektronik të gjendjes civile si dhe në çfarë date do të dalin listat paraprake të zgjedhësve. Njëkohësisht, socialistët kërkojnë një datë konkrete nga ana e qeverisjes për prodhimin e kartave të identitetit dhe a ka një evidentim të saktë të shtetasve që janë të pajisur me pasaporta të vlefshme deri në ditën e votimit dhe si do të veprohet konkretisht në praktikë për të pajisur me prioritet me karta identiteti ata zgjedhës që nuk kanë pasaporta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›