E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, gjykata italiane dënon me nga 12.5 vite burg 5 skafistë shqiptarë

Pesë skafistët që provokuan tragjedinë e rëndë më 4 maj të vitit 2000, janë dënuar nga gjykata italiane në Leçe me nga 12.5 vite burg secili.

Gjatë asaj nate, u përmbys një gomone në afërsi të brigjeve italiane dhe humbën jetën 15 viktima. Pesë skafistët u gjykuan në Itali nën akuzat e favorizimit të trafikut të paligjshëm dhe mbytje të qëllimshme të gomones. Ngjarja e rëndë ndodhi natën e 4 majit të vitit 2000, kur një gomone u përmbys në ujërat e Adriatikut, pasi u përplas me helikën e një motovedete italiane. Dëmtimi i gomones shkaktoi 15 viktima, ndërkohë që në bordin e saj ndodheshin 31 klandestinë shqiptarë, 20 nga të cilët nga Shkodra. Ngjarja u cilësua tetë vite më parë si një Otranto e dytë. Prej kohësh të afërm dhe familjarë të viktimave kanë kërkuar zbardhjen e tragjedisë së rëndë pas një procesi që në shtetin italian zgjati për vite me radhë. Ditën e djeshme, drejtësia italiane dënoi me 12.5 vite burg pesë skafistët e cilësuar si shkaktarë të kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›