E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, në hetim ekspertët e dëmshpërblimit

Kanë filluar hetime të tjera në Gërdec, por këtë herë jo më për tragjedinë e tij, por për çështjen e dëmeve të shkaktuara nga dhënia e dëmshpërblimit mbi vlerën e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi. Të paktën 20 specialistë që duhej të vlerësonin dëmet e shkaktuara nga shpërthimi mendohet të kenë abuzuar dhe janë denoncuar për këtë nga Bashkia e Vorës, që dyshon se specialistët kishin përfituar duke dhënë çmime shumë më të larta. Hapja e hetimeve të tjera mbi tragjedinë, këtë herë për vjedhjen e dëmshpërblimeve të dëmeve, vjen gjashtë muaj pas ngjarjes së Gërdecit, ku 26 vetë humbën jetën dhe qindra shtëpi u shkatërruar. Përveç numrit të viktimave, nga shpërthimi janë dëmtuar me mijëra shtëpi të fshatit Gërdec, shtëpi këto shumica të ndërtuara pas viteve ‘90. Pas shkatërrimit masiv të banesave të banorëve të Gërdecit, përgjigjja për dëmshpërblimin e tyre vjen vetëm pak kohë më pas nga vetë Enti Kombëtar i Banesave, që përfundoi vlerësimet financiare për 3.592 dosje të objekteve të dëmtuara nga ngjarja e Gërdecit. Si enti apo grupet e punës të ngritura në terren me përfaqësues të qarkut, Bashkisë së Vorës dhe ALUIZNI-t, kanë paraqitur gjithsej 3.800 dosje, nga të cilat janë përpunuar 3.592 dosje, ndërsa vlerësimi është bërë në bazë të mesatares së çmimeve të tregut.

Bëhet fjalë për rreth 400 shtëpi, të cilat janë shkatërruar plotësisht pas shpërthimit të depove në Gërdec të Vorës. Financimi dhe ndërtimi i këtyre banesave do të bëhej duke marrë për bazë koston mesatare të ndërtimit për qytetin Tiranë. Por kohët e fundit ka pasur dyshime për abuzimet në këto dëmshpërblime, për të cilat është bërë edhe kallëzimi nga Bashkia e Vorës, ndërsa prokuroria tashmë i është futur punës për të hetuar 70 raste abuzive tek të cilat dyshohet se është shkaktuar dëm në paratë e paguara nga qeveria si dëmshpërblim për shtëpitë e shkatërruara.

Në hetim janë rreth 20 ekspertë nga Enti i Banesave, Bashkia Vorë, ALUIZNI dhe Qarku Tiranë, që kanë mbivlerësuar dëmet e shkaktuara, me qëllim përfitimin nga fondet dhe ndarjen e parave nga dëmshpërblimet. Për të 70 banesat në Gërdec do të zgjidhen disa me short nga çdo dhjetë prej tyre, me qëllimin e rivlerësimit të dëmit për të matur sa është vjedhja e dyshuar nga dhënia e dëmshpërblimit mbi vlerën reale të dëmeve të shkaktuara nga tragjedia.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›