Kriza, për 3 muaj u tërhoqën 500 milionë euro depozita
Fabiola Çela
Vetëm për tre muaj nga bankat janë tërhequr plot 60 miliardë lekë ose 500 milionë euro depozita. Pavarësisht deklaratës së zyrtarëve të lartë të Qeverisë, se bankat nuk janë prekur nga kriza ndërkombëtare, qytetarët të trembur nga kriza globale kanë tërhequr kursimet e tyre në banka. Një fakt i tillë është deklaruar edhe vetë kreu i Financave Bode, gjatë punimeve të forumit ekonomik të Crans Montanës. Po dje, ministri Bode gjatë një takimi me sindikalistët ka theksuar se nuk ka pasur shkurtim të vendeve të punës si pasojë e krizës.
Forumi
Bankat që operojnë në vend nuk janë të infektuara nga kriza globale e bankave. “Por, sigurisht që përballë zhvillimeve të ekonomisë botërore, të tregut financiar botëror, ekonomia shqiptare nuk mbeti jashtë dhe kjo të paktën nga ana psikologjike. Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar për shkak të lajmeve tronditëse në sistemin bankar botëror edhe në psikologjinë e depozituesve shqiptarë u vunë re shenja tronditjeje dhe aq më tepër të nxitura edhe nga një propagandë e papërgjegjshme, jorealiste, bëri që 10% e depozitave në 3-4 muaj të rrjedhin nga sistemi bankar, pa dëmtuar funksionimin normal të gjithë sistemit bankar”, u shpreh dje ministri Bode. Por sipas tij, në muajt e parë të vitit sistemi duket i stabilizuar.
Për t’iu rikthyer edhe më shumë besimin shqiptarëve Qeveria ka rritur pragun e sigurimit të depozitave. Nga 700 mijë lekë që ka qenë, rreth 7 mijë dollarë, në 2.5 milionë lekë, pra në rreth 25 mijë dollarë, duke e rritur kështu me tre herë e gjysmë nivelin e garancisë së depozitave. Përveç kësaj mase mbulohen me garanci të plotë mbi 90% e depozitave të sistemit bankar dhe kjo përbën një masë po ashtu për të forcuar besimin e opinionit publik për të depozituar tek sistemi ynë bankar. Gjatë fjalës së tij në forum ministri Bode ka evidentuar edhe risqet që i kanosen ekonomisë vendase. “Së pari, vërehet një rënie e ritmeve të kreditimit të ekonomisë, por edhe një kujdesi që bën sistemi bankar për një garanci maksimale në lëvrimin e huave në raport me biznesin”, tha ai. Risku i dytë ka të bëjë me kursin e këmbimit, ku monedha vendase po zhvlerësohet ndjeshëm ndaj valutës. “Risku i dytë që mendojmë përbën një element për t’u trajtuar me kujdes, si nga banka ashtu dhe nga qeveria, por edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare ka të bëjnë me stabilitetin e kursit të këmbimit. Krahasuar me verën e vitit të kaluar 2008, kemi një zhvlerësim të lekut në nivelin 6%”, tha ministri.
Sindikatat
Nuk ka pasur shkurtime të vendeve të punës si pasojë e krizës. Ky ka qenë reagimi i ministrit të Financave Ridvan Bode, ndaj sindikalistëve gjatë takimit të radhës të Këshillit Kombëtar të Punës. Pas kësaj deklarate ka reaguar kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura. “Vetëm “Kurum” ka hequr 360 punëtorë, ndërsa fasonistët raportojnë për 10 mijë vetë të larguar deri tani”, u shpreh kreu i Sindikatës, Kolë Nikolla.
Ruli: Eksportet janë në një nivel si një vit më parë
Efektet e krizës globale në Shqipëri janë në përmasa të vogla. Ekonomistët paralajmëruar për një rënie të nivelit të eksporteve të mallrave shqiptarë, por sipas zyrtarëve të Qeverisë, niveli i eksporteve është si një vit më parë. Gjatë forumit të Crans Montanës kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Genc Ruli u shpreh se: “Dy muaj e parë të vitit 2009 tregojnë se në përgjithësi eksportet shqiptare njohin të njëjtin nivel si atë të vitit 2008, një e dhënë kjo mjaft optimiste në kontekstin e tkurrjes të ndjeshme globale të eksporteve të vendeve të tjera”. Madje, sipas Ruli Rulit dy ditë më parë OBT deklaroi se ajo parashikonte një rënie të tregtisë botërore në nivelin botëror me afro 10 për qind, ndërsa në Shqipëri volumi fizik i tregtisë, në dy muajt e parë të vitit, vazhdon të rritet. “Realizimi i të ardhurave buxhetore është plotësisht sipas parashikimit, parashikim i cili është bazuar në një rritje vjetore të PBB-së në nivelin e 5,5 për qind. Ne jemi optimistë për mbarëvajtjen e ekonomisë tonë në këtë vit të vështirë për ekonominë botërore. Kjo sepse reformat që kemi ndërmarrë, përmirësimi mjaft i ndjeshëm i klimës së biznesit, investimet e mëdha publike në infrastrukturë, e kanë bërë Shqipërinë tërheqëse për investitorët edhe në këto kohë të vështira”, është shprehur ministri Ruli gjatë punimeve të forumit ekonomik.