Britania “Po” kërkesës së Prokurorisë për ekstradimin e dy të akuzuarve abuzim seksual me të mitur
TIRANË - Autoritetet britanike kanë miratuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për ekstradimin në Shqipëri të dy shtetasve britanikë, Dino Kristodol dhe Robin James, të cilët akuzohen për “marrëdhënie seksuale me të mitur”. Ky fakt u bë i ditur dje nga prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, gjatë takimit që pati me drejtuesin e Prokurorisë në Britaninë e Madhe, Kent Macdonald. Kristodol dhe James janë duke u proceduar penalisht nga Prokuroria shqiptare së bashku me shtetasin tjetër britanik, David Braun, për abuzime seksuale me të mitur në një ish-qendër bamirësie në Tiranë. Kryeprokurori britanik, Ken Mac Donald, në konferencën e përbashkët me kryeprokuroren shqiptare Ina Rama ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë për standarde të përbashkëta. Në këtë mënyrë ai ka përmendur si një nga pikat kyçe të punës së prokurorëve pavarësinë e organit të Akuzës dhe çlirimi i tyre nga efektet e presionit politik apo çfarëdo qofshin ato. Më tej ai tha se “Shqipëria dhe Britania duhet të veprojnë si një turp i vetëm në mënyrë që të godasin sa më shpejt dhe sa më mirë informalitetin dhe krimin e organizuar. Prokuroritë në Bashkimin Europian kanë shumë sfida për të përballuar dhe në këtë mënyrë ato duhet të veprojnë si një turp i vetëm, në mënyrë që të realizohet lufta kundër krimit. Ne duhet të punojmë për standarde të përbashkëta”. Ndërsa prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi gjatë takimit me drejtuesin e Shërbimit të Prokurorisë në Britaninë e Madhe, Kent Macdonald, se po shihet mundësia për ngritjen e njësive të tjera “Task Forcë” në prokuroritë më të mëdha të rretheve gjyqësore. Aktualisht njësia “Task Forcë” është ngritur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ka për qëllim luftën kundër krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit. Dhjetëra dosje për abuzimet nga ana e punonjësve të administratës shtetërore janë bërë objekt hetimi për këtë njësi hetimore.
15 Maj 2008