Dobjani: “Bashkia e Vorës më transparente me ndihmat e Gërdecit”
Laureta Rryçi
Tiranë - Avokati i Popullit i kërkon kryebashkiakut të Vorës të jetë me transparent në lidhje me ndihmat apo donacionet për Gërdecin. Me anë të një rekomandimi Dobjani i shkruan zyrtarisht kryebashkiakut lidhur me transparencën e ndihmave apo donacioneve të përfituara dhe të administruara nga Bashkia Vorë, me rastin e tragjedisë së Gërdecit. Rekomandimi i është drejtuar kryebashkiakut të Vorës, Fiqiri Ismaili. Sipas Dobjanit, në zyrën e Avokatit të Popullit kanë mbërritur disa ankesa të qytetarëve, banorë të Vorës dhe fshatrave përreth. Në morinë e kërkesave dhe ankesave të cilat këta banorë i bënë prezent Avokatit të Popullit dhe një kërkesë e cila kishte të bënte me transparencën e Bashkisë Vorë në administrimin e ndihmave dhe donacioneve të ndryshme, të marra nga persona fizikë apo juridikë privatë, vendas apo të huaj, si dhe nga persona juridikë publikë për menaxhimin sa më të shpejtë të situatës së krijuar nga tragjedia e Gërdecit.
Pretendimet
Disa banorë të Gërdecit dhe të fshatrave të tjerë të afërt, të cilët u goditën nga tragjedia, ngritën pretendime për shumën e ndihmave dhe donacioneve të përfituara si dhe mënyrën e menaxhimit të tyre nga ana e Bashkisë Vorë, duke pretenduar trajtim të pabarabartë dhe shkelje të të drejtave të tyre.
“Informimi i publikut të interesuar në një rast të tillë merr rëndësi të veçantë dhe mënjanon çdo lloj paragjykimi lidhur me trajtimin e njerëzve të prekur dhe dhënien në kohën e duhur të ndihmës së nevojshme, duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me individë të cilët janë të dëmtuar dhe emocionalisht të renduar për shkak të fatkeqësisë së ndodhur”, - thuhet në rekomandimin e Dobjanit.
Rekomandimi
Gjatë takimit që Avokati i Popullit ka pasur me banorët e kësaj zone është njohur edhe me shqetësimin që ata e kishin shumë të vështirë të njiheshin me aktet nënligjore të bashkisë. Kjo pasi bashkia i afishonte vetëm në ambientet e godinës dhe për të mbërritur deri atje nuk u lejonin personat që nuk kishin takim me specialistët. “Në të tilla kushte do t’ju rekomandonim afishimin në vende sa më të dukshme dhe lehtësisht të aksesueshme nga publiku, të ndihmave dhe donacioneve të përfituara nga Bashkia Vorë, me rastin e tragjedisë së Gërdecit”, - shkruhej në pjesën e fundit të rekomandimit.
Familjarët e viktimave të Gërdecit marrin “Mjaft”-in avokat kundër shtetit
Tiranë – Njëmbëdhjetë familje të viktimave të Gërdecit i kanë besuar lëvizjes “Mjaft” përfaqësimin ligjor për një padi civile kundër shtetit shqiptar. Lëvizja “Mjaft” bëri të ditur dje gjatë një konference për shtyp ku ishin të pranishëm edhe familjarë të viktimave të Gërdecit, se kjo padi do të vërë para drejtësisë strukturat dhe individët me pushtet përgjegjës për krime kundër civilëve. “Padia do të jetë një kontribut në luftën kundër idesë dhe praktikës se krimet politike në Shqipëri kurrë nuk ndëshkohen, gjithmonë mbyllen”, - tha Elisa Spiropali. Kjo padi do të vendosë një precedent ligjor për përgjegjësi shtetërore, për dhunim të jetës dhe dinjitetit njerëzor. Spiropali bëri të ditur gjithashtu se “Mjaft”-i do bëhet palë e tretë me Prokurorinë në padinë penale, sakaq të nisur në kërkim të përgjegjësve për këtë vrasje masive. Një grup juristësh pranë “Mjaft”-it ka rreth një muaj që punon për këtë çështje. Në bazë të provave dhe informacioneve të mbledhura, “Mjaft”-i do të kërkojë drejtësi për burrat, gratë dhe fëmijët e pazëshëm të Gërdecit. Për këtë qëllim, lëvizja ka kërkuar ndihmën e disa grupimeve ndërkombëtare më prestigjioze ligjore për të drejtat e njeriut. “Bilanci rrëqethës i tragjedisë së Gërdecit, me 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur, 1200 shtëpi të shkatërruara dhe mijëra njerëz të dëmtuar fizikisht dhe psikologjikisht, thërret për drejtësi”, - vijoi Spiropali. Sipas saj, qeveria shqiptare po përpiqet ta varrosë të vërtetën e Gërdecit nën rrënojat e Gërdecit. “Qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për ta fshehur krimin përmes diskutimesh politike dhe propagandistike me NATO-n dhe ndryshime manipuluese qëllimkëqija në Kushtetutë”, - shtoi aktivistja e lëvizjes “Mjaft”. Shumica parlamentare nuk ka aspak ndër mend të tundet nga vendi edhe sikur e gjithë Shqipëria të hidhet në erë. Jo më larg se dy ditë më parë, kryeprokurorja dorëzoi një dosje me fakte që argumentonin dorëzimin e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet si një nga përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit. Pasi kryetarja e Parlamentit e ktheu një herë mbrapsht kërkesën e Prokurorisë për mungesë faqesh, Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve në Parlament e bllokuan përsëri me një batutë mbi numrin e faqeve.
Donatorët kërkojnë rritjen e fondeve për rindërtimin e Gërdecit
Qeveria shqiptare ka organizuar një takim me donatorët e huaj në Tiranë, ku është diskutuar problematika në fshatin Gërdec si dhe mundësitë për rindërtimin e shpejtë të tij. Ky takim organizohej nga Grupi Ndërinstitucional për Koordinimin e Donatorëve në Raste Emergjencash Civile, nën drejtimin e Albana Vokshit. Drejtuesja u shpreh se bindur se qeveria do të rrisë më tej fondet për këtë zonë në mënyrë që rindërtimi i saj të jetë i shpejtë dhe më i duhuri. “Hapat e ndërmarrë deri tani nga ana e qeverisë kanë qenë për përmirësimin e situatës në zonën e Gërdecit, ku përveç përgjigjes imediate për rehabilitimin e zonës u dhanë edhe ndihma financiare, si nga buxheti i shtetit, ashtu edhe nga donacionet e kompanive, individëve private dhe donatorëve”, - tha Vokshi. Nga ana tjetër, donatorëve iu propozuan instrumente konkrete për orientimin e financimeve të tyre nëpërmjet projekteve ekzistuese dhe agjencive zbatuese që aktualisht kanë projekte të ngjashme. Kjo do të sigurojë një ndërhyrje të menjëhershme në zonë dhe monitorim më efektiv të këtij procesi nga ana e qeverisë dhe donatorëve. Donatorëve iu kërkua që të angazhonin fondet e tyre në sektorët e interesit brenda muajit maj, në mënyrë që ato të përfshihen në buxhetin afatmesëm.
E. Kapri
15 Maj 2008