Britania dënon Mero Bazen me 50 mijë paund gjobë për shpifje. Fazlliç i bën thirrje prokurorisë t’i kërkojë ndjesë

Për shpifjet ndaj biznesmenit Damir Fazlliç, Gjykata Britanike e ka dënuar Mero Bazen me 50 mijë paund gjobë, ndërkohë që vetë biznesmeni britanik i ka cilësuar shpifjet ndaj tij si “hakmarrje politike në emër të grupeve të interesit që donin të ndalnin investimin tim në Shqipëri”
Biznesmeni britaniko-boshnjak Damir Fazlliç, deklaroi dje se akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria shqiptare ishin të qëllimshme dhe të ngritura nga grupe të caktuara interesi me prapavijë të qartë politike. Rreth 7 muaj pas zhurmës së madhe mediatike dhe akuzave për pastrim parash, Damir Fazlliç bëri të ditur dje çdo skenë dhe prapaskenë që sipas tij është punuar nga një klan me interesa të dyshimta, me qëllim largimin e investimeve të tij nga Shqipëria. Disa ditë pas deklarimit zyrtar të Prokurorise së Përgjithshme se hetimet ndaj shtetasit Damir Fazlliç janë mbyllur, vetë ky i fundit, ka mbërritur në Tiranë, ku deklaroi se ndaj gazetarit Mero Baze ka hapur një proces penal në Gjykatën e Lartë të Anglisë për shpifje, në përfundim të të cilit, drejtori i gazetës “Tema”, detyrohet ti paguaj biznesmeni britaniko-boshnjak, 50 mijë paund gjobë.
Shtetasi britaniko-boshnjak, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, Genc Gjokutaj, u shpreh dje gjatë konferencës për shtyp se dihej mirë që Prokuroria shqiptare pushoi hetimet ndaj tij dhe se ai do të vazhdojë të mbetet një mik i ngushtë i shqiptarëve, duke premtuar se do të vazhdojë investimet e tij në fushën e biznesit, pasi siç u shpreh: “Shqipëria ka të ardhme të mirë dhe vërtetë e pëlqej këtë vend”.
Në vijim të deklaratës së tij, Fazlliç iu referua edhe Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, teksa deklaroi se “shpresoj që çështja ime të shërbejë si një mësim kujdesi për Prokuroren e Përgjithshme e cila besoj se më ka borxh një falje publike për demin e shkaktuar emrit dhe interesave të mija. Jam këtu, si një mik dhe biznesmen i këtij vendi, të shpreh besimin tim të vazhdueshëm, për këtë vend, duke punuar, për të zhvilluar projektet e mia të investimeve. Unë jam veçanërisht i lumtur sot sepse hetimet mbi aktivitetet e mia në Shqipëri janë ndaluar nga prokurorët për mungesë të çfarëdo prove të ndonjë vepre penale apo gjëra të bëra gabim nga unë ose kompanitë e mia. E kam theksuar që në fillim se të gjitha akuzat ndaj meje ishin fabrikime të pastra dhe sulme të motivuara politikisht. Së fundmi, këto u bënë të qarta për cilindo. Dua të falënderoj zyrën e prokurorisë së Tiranës dhe prokurorët e të dyja çështjeve që pavarësisht gjuetisë politike të shtrigave të lëshuar kundër meje, kishin kurajën profesionale dhe integritetit të pastronin emrin tim dhe të bënin drejtësi. Unë sinqerisht shpresoj se çështja ime do të shërbejë si një mësim kujdesi për prokuroren e përgjithshme e cila besoj se më ka borxh një falje publike për demin e shkaktuar emrit dhe interesave të mija”, u shpreh Fazlliç, duke shtuar se “shpresoj se ajo do të mësojë që të mos konsumohet nga pushteti dhe të qëndrojë larg lojërave politike, duke respektuar të drejtat njerëzore dhe ligjore të secilit, përfshi bizneset dhe investitorët e huaj”.
Në vijim shtetasi britanik, biznesmeni Damir Fazlliç vuri në dukje se fushata e shpifjeve dhe e sulmeve kundër tij, filluan nga drejtori i gazetës “Tema”, Mero Baze, të cilin e ka paditur në Gjykatën e Lartë të Londrës, e cila ka dhënë edhe vendimin e saj, për tyë cilin Baze duhet të paguajë 50 mijë paund.
Ai u shpreh se Baze e bëri një gjë të tillë në emër të disa grupeve të interesit që donin të ndalnin investimin tim në Shqipëri dhe gjithashtu si një mjet i hakmarrjes së tij politike.
“Për këtë arsye, kam paditur Mero Bazen në gjykatën e lartë të Londrës. Zoti Baze ka refuzuar të paraqitet në gjyq pavarësisht disa njoftimeve që i janë komunikuar. Gjithsesi, pavarësisht nga kjo, si rezultat i vendimit të gjyqit, zoti Baze duhet të më paguajë mua 50 mijë paund britanik për akuzat e tij të pabaza. Kjo është veçse çështja e parë ndaj zotit Baze, ndërsa disa të tjera janë ende në proces. Unë nuk jam duke e bërë këtë për hakmarrje apo përfitim pasi të gjitha paratë do të shkojnë për bamirësi, por sepse unë e besoj sepse shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut kanë të drejtë të mbrohen nga stili gangster i gazetarisë dhe i politikes të njerëzve si Mero Baze”, u shpreh më tej Fazlliç.
Biznesmeni Damir Fazlliç deklaroi në përfundim se pavarësisht kësaj eksperience të hidhur, ai do të vazhdojë të jetë prezent me investimet e tij në vendin tonë, pasi ekonomia e Shqipërisë, ndryshe nga ajo e vendeve të tjera, të prekura nga kriza, ofron mundësi të mira për investime.
...