Berisha: Politika më të mira për të mbështetur zhvillimin e biznesit
Kryeministri Sali Berisha, merr pjesë në Panairin e Punës, që u çel sot
Taksat e ulta dhe krijimi i të gjitha lehtësirave fiskale, janë politikat më të mira që ka ndërmarrë qeveria, për të mbështetur zhvillimin e biznesit , nxitjen e punësimit dhe sipërmarrjes private në Shqipëri. Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm sot paradite në ceremoninë e hapjes së Panairit të Punës të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, në ambjentet e Hotel Tirana Intarnacional, deklaroi se, "Shqipëria është një vend i hapur ndaj bizneseve dhe sot në kushtet e krizës financiare ndërkombëtare, kur vihen në diskutim çështje shume të mëdha, me politikat tona për krijimin e vendeve të punës, po e kalojmë më së miri këtë provë. Kam qënë i bindur,- tha Berisha,- se politka më e mirë, janë taksat e ulëta, gjë të cilën e kam konstatur dhe në një studim të Oxfordit, ku thuhet se 'çdo dollarë i ulur për taksën e fitimit, do të thotë 0.54 dollarë për punëtorin, pasi me politikën e taksës së lartë goditet punëtori dhe jo kapitalisti”. Duke u ndalur në zhvillimet ekonomike kombëtare përballë situatës financiare ndërkombëtare, kreu i qeverisë evidentoi faktin se, "Shqipëria po i reziston krizës dhe për këtë, tha ai, "nuk di ndonjë arsye më të madhe, se sa faktin, se këto taksa të ulëta sipërmarrësit anëtarë të Dhomës së Tregtisë, i kanë shëndërruar në vende pune dhe fuqizime të sipërmarrjes së tyre". Në këtë konteks, vijoi Berisha, dua t'i garantojë të gjithë anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Dhomës së Tregtisë e Industrisës së Shqipërisë, se qeveria do të lehtësojë hapësirat për biznesin dhe do të ulë barrën fiskale duke luftuar fenomenet burrokratike ndaj sipërmarrësve. "Sot,- tha Kryeministri Berisha,- nisma "1 euro", është bërë një paktikë e zakonshme prandaj nuk përflitet më, për të”. Lidhur me përpjekjet e qeverisë për të inkurajuar zgjerimin e vendeve të punës, Berisha theksoi se, do të kontribuojmë ndjeshëm në kualifikimin dhe trajnimit e punëtorëve, përshtatjen e sistemit arsimor me tregun dhe kërkesat e tij, ndërkohë që të tjerat janë tërësisht në duart e sipërmarrësve. Duke shprehur mirënjohjen për të gjithë sipërmarrësit, kreu i qeverisë tha se, "gjatë këtyre 4- viteve, qeveria shkurtoi në administratë 4 mijë vende pune, ndërkohë që biznesi punësoi rreth 80 mijë punonjës të përhershëm në sipërmarrjen e tyre. Premtimi im,- tha kryeministri Berisha,- është që në 4 vitet e tjetra numër i të punësuarve të dyfishohet". Në Panairin e Punës, marrin pjesë 29 biznese me sipërmarrës shqiptarë dhe të huaj, që operojnë në tregun shqiptar, të cilët do të ofrojnë vende pune për të interesuarit.
Fjala e plotë e kryeministrit
Së pari dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra për organizimin e këtij panairi, i cili është shumë i rëndësishëm, Panairit të Punës. Do të vazhdoj aty ku ju, (zoti Philip H. Bay), e përfunduat. Shqipëria është e hapur ndaj bizneseve – thatë ju në fjalimin tuaj. Ndërsa ajo që do të them unë është se; Shqipëria do të jetë gjithnjë e më hapur për biznese. Këto janë kohëra shumë të veçanta, janë kohë kur vihen në diskutim vlera të mëdha dhe politikat tona për reformat ekonomike, për krijimin e vendeve të punës, po e kalojnë më së miri këtë provë.
Kam qenë gjithnjë tepër i bindur se politika më e mirë janë taksat e ulëta. Një ditë u kënaqa shumë kur zbulova një studim mjaft të rëndësishëm të “Oxfordit” dhe ky studiues, pas një studimi shumë të gjatë dhe serioz, erdhi në përfundimin se; ‘çdo dollar amerikan i ulur për taksën e fitimit, do të thotë 0. 54 dollarë për punëtorin’. Pra, ajo që mendohej se godet kapitalistin, u faktua se godet punëtorin me politikën e taksës së lartë.
Natyrisht, unë jam i inkurajuar se Shqipëria po i reziston krizës. Nëse do të më pyesni mua, unë mund të them se nuk di ndonjë arsye më të madhe se fakti që këto taksa të ulëta sipërmarrësit, anëtarë të Dhomës Amerikane e Tregtisë dhe të të gjitha Dhomave të Tregtisë, i kanë shndërruar në vende punë, i kanë shndërruar në investime, i kanë shndërruar në fuqizime të sipërmarrjeve të tyre. Ndaj dhe unë dua ti garantoj të gjithë anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe të gjithë biznesmenët shqiptarë se për mua dhe qeverinë time situata aktuale e ekonomisë evropiane dhe botërore është një apel i madh dhe i fuqishëm; të zgjerojmë sa më shumë hapësirat për biznesin, të lehtësojmë sa më shumë barrën burokratike apo fiskale mbi të, t’i ofrojmë atij lehtësirat më të mëdha në kontratat ndër më të leverdishmet për të.
Një ditë, një gazetar më tha se nuk po dëgjoj të flitet për ‘Shqipëria 1 euro’. Mua më erdhi mirë për këtë sepse nisma “Shqipëria 1 euro” u bë një praktikë e zakonshme dhe nuk flet më njeri për të. Ne jemi përpjekur të inkurajojmë krijimin e vendeve të reja të punës, por siç ka provuar historia e zhvillimit të gjitha përpjekjet e tjera, përveç se atyre të tregut dhe lirisë së tij, janë përpjekje afatshkurtra dhe me kosto shumë të lartë. Detyra e qeverisë është të kontribuojnë ndjeshëm në aftësimin e punëtorëve, në kualifikimin e tyre, në trajnimin dhe ritrajnimin e tyre, përshtatjen e tërë sistemit arsimor me tregun dhe kërkesat e tij, ndërsa të tjerat janë tërësisht në duart e sipërmarrësve.
Ndaj dua ta mbyll këtë fjalë të shkurtër duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin tim për të gjithë sipërmarrësit shqiptarë, të cilët gjatë këtyre katër viteve, në rast se qeveria në administratë shkurtoi me rreth 30 për qind vendet e punës, bizneset punësuan rreth 80 mijë punonjës të përhershëm në sipërmarrjet e tyre.
Premtimi dhe zotim im është që gjatë katër viteve që vijnë ky numër të 2 – fishohet.
Faleminderit!”
...