E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk do ketë zgjedhje pa u pajisur të gjithë me karta identiteti

Nga L.Progni

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se nuk do të ketë zgjedhje, në qoftë se nuk do të pajiset me kartë identiteti çdo qytetar. Duke folur nga komuna e Niklës, e cila ndodhet pranë Tiranës, ku nuk ka nisur ende aplikimi për karta identiteti, Rama tha se shifrat janë pesimiste.

“Nuk mund të ketë zgjedhje, në qoftë se nuk ka të drejtë qytetari që të zgjedhë. Nuk mund të ketë zgjedhje, në qoftë se qindra-mijëra qytetarë e qytetare nuk kanë të drejtën, për shkak se qeveria i ndalon në këtë të drejtë, duke i ndaluar të aplikojnë. Ne nuk do lejojmë zgjedhje, të cilat përjashtojnë qindra-mijëra shqiptarë e shqiptare nga e drejta e votimit. Ne nuk do të tolerojmë një proces zgjedhor të manipuluar për shkak të paaftësisë, papërgjegjshmërisë, por edhe qëllimisht.

Këtu ka një problem të madh, që është paniku i Sali Berishës dhe i kësaj qeverie, të kthyer në një ndërmarrje familjare përballë një procesi, i cili është gjykimi i popullit për këto 4 vjet. Që të mos ketë edhe 4 vjet të tjera si këto, duhet që të gjithë bashkë të përpiqemi, secili të bëjë mundimin e tij për të aplikuar, duke këmbëngulur, pavarësisht dhjetëra e dhjetëra kilometrave që duhen bërë për të marrë kartën, pavarësisht zmbrapsjeve ndonjëherë edhe fyese, herë-herë poshtëruese nga ana e përfaqësuesve të shtetit të njerëzve, të cilët janë shërbëtorë të pushtetit”, - tha Rama.

Duke folur nga Nikla, Rama tha se ekziston mundësia që me këtë ritëm aplikimi, në ditën e zgjedhjeve të ketë qindra-mijëra qytetarë pa karta identiteti.

“Mbetet akoma shqetësues fakti se në shkallë vendi kanë aplikuar vetëm 38% e shtetasve pa pasaportë. Në katër qarqe, shtetas pa pasaportë aplikantë janë 30%. Qarku i Kukësit mbetet me nivelin më të ulët të aplikimeve, vetëm 9.5%.

Efekti i vendimeve të qeverisë për lehtësimet financiare nuk duket domethënës. Nga data 28.04.2009 deri në dt. 08.05.2009 numri i shtetasve pa pasaportë që kanë aplikuar është rritur vetëm me 6.2% (ose 44 970 shtetas). Po të ecet me këtë ritëm deri në fund të qershorit, do të mbeten më shumë se 300.000 shtetas pa pasaportë që nuk do të kenë aplikuar për letërnjoftim elektronik.

Njësitë më problematike vazhdojnë të jenë komunat. Në 68 komuna kanë aplikuar jo më shumë se 10 shtetas pas pasaportë. Ndërsa në 13 komuna nuk janë hapur ende qendrat e aplikimit për letërnjoftimet elektronike.

Në 16 rrethe të vendit, aplikimi i shtetasve pa pasaportë nuk është më shumë se 30%”, - tha Rama.

Banorë të kësaj zonë thanë se kanë ditë që kërkojnë informacion, pse nuk nis shpërndarja e kartave të identitetit.

“Kam qenë kryetar seksioni i Partisë Demokratike, jam distancuar. Jam larguar, për arsyen sepse s’na u dha ajo që na u premtua. Prandaj i bëj thirrje të gjithëve pa përjashtim, të djathtë e të majtë, të votojmë të ardhmen tonë, që ndryshon duke votuar PS”, - tha njëri prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›