Topalli: Shqipëria po bëhet lider i Ballkanit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka vijuar sot në Koplik, turin “Shqipëria po ndryshon”, duke vënë theksin tek përballja e mazhorancës së reformave me opozitën e karteleve të ndërtimit
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli në vijim të turit të saj Shqipëria po ndryshon u prit nga burrat, gratë të rinjtë e të rejat e Bashkisë së Koplikut. Vetëm në tre vitet e fundit Kopliku ka ndryshuar imazhin e tij përmes investimeve që kapin miliona, për asfaltim rrugësh, për rikonstruksione mjedisesh publike, për shkolla, për ujësjellës, për shtim të hapësirave të gjelbërta e të tjera investime që i kanë dhënë jetë këtij qyteti. Në fjalën e saj përpara banorëve të Koplikut Kryetarja e Kuvendit ndër të tjera tha: “Në fushatë ne nuk kemi më Partinë Socialiste, por kemi një konsorcium, një trust, është trusti i lejeve të ndërtimit, nuk është më Partia Socialiste, është trusti i 15 përqindëshit, nuk është më Partia Socialiste, është trusti i Bashkisë së Tiranës, është trusti i parave me të cilat blihet dhe e blejnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Këto janë dy botë, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetërn. Trustet e 15 përqindëshit nuk punojnë për Shqipërinë, trustet e lejeve të ndërtimit nuk punojnë për vendin, trustet e Bashkisë së Tiranës dhe paratë me të cilat shiten dhe blihen këta kryetarë të partisë, natyrisht që nuk kanë motiv dhe dashuri për vendin”. "Në katër vite, tha Kryetarja e Kuvendit, kemi dyfishuar rrogat, pensionet, buxhetin, të ardhurat, vërtet kemi ndryshuar totalisht infrastrukturën e Shqipërisë, vërtet kemi ndosur vetëm në zonat rurale 1,4 bilionë dollarë. Më shumë do të bëjmë, më shumë do të rrisim rrogat, pensionet, më shumë do të punojmë për ta perfomuar infrastrukturën. Shqipërinë do ta bëjmë vendin më modern të Ballkanit dhe do të bëjmë atë që disa sot e mendojnë se ndoshta është e pamundur; pas një viti shqiptarët do të lëvizin pa viza për të takuar nënat, motrat, vëllezërit, fëmijët”.
Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, mbajtur në tubimin e sotëm të Koplikut
Mirë se ju gjeta Malësi e Madhe! Mirë se ju gjeta zonja dhe zotërinj, banorë të Koplikut! Shfrytëzoj rastin të përshëndes edhe zonjat që janë atje lart në ballkon, ato që po na ndjekin nga shtëpitë e tyre, zonjat këtu sipër, edhe burrat. Ju përshëndes të gjithëve. Unë vij gjithmonë me kënaqësi të madhe në bashkinë tuaj, sepse unë ndihem krenare për Malësinë e Madhe, për mbështetjen që ju i keni dhënë demokracisë. Ju keni pjesën tuaj të rëndësishme dhe të madhe të kësaj Shqipërie që po ndryshon. Ju keni pjesën e madhe të ndryshimit dhe të fitimit të garave, ashtu siç thoshin fëmijët përpara, ne do të fitojmë garën, në do të fitojmë garën. Ne do të fitojmë zgjedhjet, ne do të fitojmë, ashtu siç kemi fituar gjatë gjithë kësaj periudhe, me garën tonë, me garën në të kaluarën, me garën për të ardhmen, me garën për të rritur ekonominë, për të rritur rrogat, pensionet; me garën për një Shqipëri më të bukur, me garën për ta bërë ekonominë më të fortë, me garën për të futur Shqipërinë në NATO, në BE. Unë jam e sigurt se ne, sa herë të kemi mbështetjen dhe optimizmin e qytetarëve, e burrave, e grave, e të rinjve, e të rejave gara të tjera do të fitojmë. Nuk ka gjë më të bukur se të dëgjoje kongresmenin amerikan në Parlament kur thoshte se Shqipëria është bërë vend lider në Ballkan. Nuk ka gjë që na bën krenar se sa kur shohim vendin tonë një vend lider, një vend që vetëm 4 vjet më përpara ishte i rreshtuar, si vendi me korrupsionin më të thellë, si vendi me varfërinë më të ashpër, si vendi me grupet kriminale më të egra, kurse sot Shqipëria ka ndryshuar, Shqipëria është bërë lider në ekonomi, sot Shqipëria është bërë lider në luftën kundër korrupsionit, është bërë lider në sigurinë që i jep çdo qytetari, në kontrollin e kufijve. Por, mbi të gjitha, vendi ka ndryshuar imazhin, ka rritur ekonominë, në përgjithësi ka bërë më të mirë jetën e qytetarëve, por, mbi të gjitha ka bërë të sigurt jetën e fëmijëve tanë, të nxënësve, të studentëve, atë për të cilën çdo prind mendon, atë për të cilën çdo nënë mendon, atë për të cilën çdo baba punon, për ta bërë fëmijën që të ndihet më mirë, të ndihet më i sigurt, të jetë më i lumtur, të ketë më shumë shpresa, të bëjë karrierë, të gjejë punë, e të bëjë një jetë të lumtur. Politika që duket shumë e ndërlikuar, në fakt është shumë e thjeshtë. Në qoftë se brenda politikës ke dashuri për këtë vend, ke doza idealizmi, ke seriozitetin, absolutisht që mund të bësh çdo gjë të mundur. Po ta duash këtë vend, çdo gjë është e mundur, po të punosh për këtë vend absolutisht që e ndryshon. Kjo është ajo që neve na ndan shumë me pjesën tjetër. Në këtë fushatë elektorale, ne nuk kemi më në garë Partinë Socialiste, por kemi një konsorcium, një trust, është trusti i lejeve të ndërtimit, nuk është më Partia Socialiste, është trusti i 15 përqindëshit, nuk është më Partia Socialiste, është trusti i Bashkisë së Tiranës, është trusti i parave me të cilat blihet dhe e blejnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Këto janë dy botë, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetërn. Unë dua të them edhe këtë, socialistët e thjeshtë, socialistët e ndershëm, unë i nderoj dhe i respektoj ata për punën. Gjatë jetës së tyre, kanë punuar për vendin e tyre, për famijet e tyre, për fëmijët e tyre, trustet e 15 përqindëshit nuk punojnë për Shqipërinë, trustet e lejeve të ndërtimit nuk punojnë për vendin, trustet e Bashkisë së Tiranës dhe paratë me të cilat shiten dhe blihen këta kryetarë të partisë, natyrisht që nuk kanë motiv dhe dashuri për vendin. Pa dyshim që nuk kanë fare ndërmend të punojnë, për të rritur më tej ekonominë, ndaj dhe unë sot këtu në zonën tuaj ju them, se vërtet kemi dyfishuar rrogat, pensionet, buxhetin, të ardhurat, vërtet kemi ndryshuar totalisht infrastrukturën e Shqipërisë, vërtet kemi vendosur vetëm në zonat rurale 1,4 bilionë dollarë. Më shumë do të bëjmë, më shumë do të rrisim rrogat, pensionet, më shumë do të punojmë për ta perfomuar infrastrukturën. Shqipërinë do ta bëjmë vendin më modern të Ballkanit dhe do të bëjmë atë që disa sot mendojnë se ndoshta është e pamundur. Unë e shoh edhe te komshinjtë e mi, të cilëve u them se pas një viti do të lëvizni pa viza, do të shkoni në Greqi, në Itali, në Gjermani për të parë vëllezërit, motrat, fëmijët tuaj, pa qenë nevoja të qëndroni pas dyerve të ambasadave. Kjo dukej sikur i
shte e pamundur, në fakt e tillë dukej edhe përpara një viti nga të gjithë, që Shqipëria do të bëhej anëtare me të drejta të plota në NATO. A ka gjë që mund të na bëjë më me dinjitet, se sa ta shohim veten së bashku me SHBA-në, me Francën, Gjermaninë, Britaninë, me vendet baltaike, me vendet nordike, me Turqinë, me Kanadanë, në të njëjtën tavolinë, për të vendosur bashkë, me të njëjtin respekt, me të njëjtin dinjitet? Për këtë unë falenderoj çdo shqiptar dhe mbi të gjitha ata që kanë pasur baballarët e pushkatuar, sepse e donin Shqipërinë perëndimore. Ata që kanë pasur gjyshërit të pushkatuar, të internuar, sepse ata ëndërronin shumë kohë përpara nesh dhe të tjerëve një Shqiëpri përendimore. Unë dua të falenderoj të gjithë shqiptarët. 18 vite janë shumë pak për të arritur kaq shumë. Ne kemi një histori mbi të cilën ora na është ndalur për 1 mijë vjet, more vellezër dhe për 17 vjet ne rekuperuam çdo gjë. Për 17 vjet bëmë rrugën më të gjatë për një kohë shumë më të shkurtër, se çdo vend tjetër qoftë në rajon, qoftë në Europë, nuk ka mundur të bëjë. Ju e kujtoni mirë si ishte starti në fillim të viteve ’90. Ta kujtojmë pak. Starti ynë nuk kishte të krahasuar me startin e Cekisë, Sllovakisë, Hungarisë, ato nuk kishin qenë vende totalisht të izoluara, të kolektivizuara, të shpronësuara, nuk kishin qenë vende që në Kushtetutën e tyre të ishte shkruar se është vend ateist dhe ti nuk duhet të besosh as te Zoti, as kurrkund tjetër. Vendi ynë në vitin 1990 kishte uri, ku njerëzit nuk dinin se çfarë ishte prona private, nuk dinin se çfarë ishte tregu i lirë, nuk dinin se çfarë është bota, ku njerëzit ndoshta nuk guxonin të këndonin, të flisnin për një film. Kjo ishte Shqipëria. Ndaj them që nuk ka vend tjetër të ketë bërë kaq shumë sa vendi ynë gjatë kësaj periudhe, nuk ka Qeveri që të ketë bërë kaq shumë për 4 vite, siç ka bërë Qeveria e Sali Berishës, një Qeveri që ka punuar me vullnet të plotë, përkushtim të madh, një Qeveri që ka punuar për fëmijën e secilit prej jush, për djalin, për vajzën, për studentin, që ka punuar për ta bërë këtë qytet më të bukur më të gjallë, më të qeshur. Ajo që unë dua t’ju them sot këtu është se, 29 qershori do të jetë një ditë ku të gjithë shqiptarët do të jenë të qeshur, të gëzuar, optimistë. 29 qershori do të jetë ditë e madhe, do të jetë dita kur Shqipëria jonë e dashur do të vazhdojë të rritet, të zhvillohet, të ngjitet. Ne do të vazhdojmë projektet tona dhe unë kam besim se ne kemi mbështetjen e madhe të të gjithë shqiptarëve, këtu në Koplik, në Malësi të Madhe, në qytetin e Durrësit, Korçës, Gjirokastrës, Tepelenës,e mbi të gjitha në Tiranë, për të vazhduar projektin e madh të Shqipërisë që ndryshon. Falemnderit Kopliku!