E Diel, 1 Nëntor 2026

PBDNJ braktis PD, koalicion me të majtën për zgjedhjet

Nga L.Progni

Ashtu siç përflitej gjatë ditëve të fundit, Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut ka vendosur që të bashkohet në koalicion me të majtën për zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo është vendosur gjatë ditës së djeshme, në kufijtë e fundit të regjistrimit në KQZ të koalicioneve, pas një takimi kokë më kokë mes kreut të PS, Edi Rama dhe atij të PBDNJ, Vangjel Dule. Gjatë deklaratës për bashkëpunimin me të majtën për zgjedhjet, Dule tha se negociatat me Berishën për koalicion me të djathtën dështuan, për faktin se programet e tyre nuk përputheshin. Vendimi i PBDNJ për koalicion me të majtën është një goditje e rëndë për mazhorancën e kryesuar nga Berisha, pasi, sipas sondazheve, nëse partia e kryesuar nga Dule do të bashkohej me të majtën, gjë që ka ndodhur dje, kjo e fundit fiton zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë, ditën e sotme pritet që të zyrtarizohen katër koalicionet që do të marrin pjesë në zgjedhje, teksa deri më dje vetëm Poli i Lirisë është regjistruar në KQZ.

Vendimi

Pas diskutimeve të shumta të kryesisë së Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, se në cilin koalicion do të përfshihej kjo e fundit gjatë zgjedhjeve të qershorit, është vendosur bashkëpunimi me të majtën. Kështu, kreu i kësaj partie, Vangjel Dule, ka zyrtarizuar dje pjesëmarrjen në koalicionin “Bashkimi për Ndryshim”, që kryesohet nga Partia Socialiste. Vendimi i PBDNJ është marrë në kufijtë e fundit të regjistrimit të koalicioneve në KQZ, teksa u mendua se kjo e fundit do të dilte e vetme në zgjedhje, duke mos bashkëpunuar as me të djathtën dhe as më të majtën. Kjo, duke qenë se kur pritej që dy ditë më parë Dule të zyrtarizonte koalicionin me të majtën, ai nuk ka marrë pjesë në takimin e zhvilluar nga partitë që bëjnë pjesë në koalicionin e kryesuar nga PS. Pas zyrtarizimit të kësaj marrëveshjeje, Dule deklaroi se kishte negociuar edhe me Berishën për pjesëmarrjen në një koalicion të mundshëm me të djathtën, por programet dhe synimet e tyre nuk ishin të njëjta, gjë që çoi dhe në ndarjen e tyre. “Duke qenë se kemi një traditë bashkëpunimi qeverisës, si me njërën parti, ashtu edhe me tjetrën, me korrektësinë më të madhe politike ezauruam të gjitha stadet e negociatave me PD, me të cilën bashkë-qeverisëm për 4 vitet e fundit. Nuk e gjet terreni i vazhdueshëm i përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin. Me PS negociatat na çuan në konkluzionin se mund të bashkëpunojmë për zgjedhjet e 28 qershorit”, - deklaroi pas zyrtarizimit të koalicionit me të majtën Dule. Ky i fundit deklaroi se marrëveshja me të majtën do të jetë si para zgjedhjeve, ashtu dhe pas tyre, pavarësisht nëse do të jenë në pozitë apo opozitë. Dule tha: “Marrëveshja është e qartë, do të jetë para dhe pas-elektorale. Nëse shoqëria shqiptare, ne dhe koalicioni, pjesë e të cilit po bëhemi sot, do t’i rezervohet roli i opozitës, do të jemi opozitarë të devotshëm dhe të përkushtuar. Në qoftë se do të jemi fituesit, do të jemi në vijën e parë të reformave të thella, të gjithanshme, pa marrë parasysh koston politike që shpeshherë i ka bërë ato deri më sot të jenë të cunguara dhe afatshkurtra”. Vendimi i PBDNJ për përfshirjen në koalicion u mor për faktin se, nëse kjo e fundit do të dilte e vetme në zgjedhje, sistemi aktual nuk e favorizon dhe ajo rrezikonte që të mbetej jashtë parlamentit. E ndërsa për të majtën koalicioni me PBDNJ është një plus i madh, për të djathtën kjo është një goditje e rëndë, pasi në koalicionin e udhëhequr nga PD bëjnë pjesë parti si ajo Republikane, e cila mban mbi vete peshën e tragjedisë së Gërdecit, si dhe parti të tjera që nuk kanë ndonjë ndikim të madh në elektorat.

Për më tepër, PD tashmë ka dhe një koalicion tjetër rival, Polin e Lirisë, që përbëhet nga PDK dhe LZHK, koalicion që me lëvizjet e fundit, siç ishte afrimi i ish-kryeministrit, Aleksandër Meksi, pritet që t’i thithë vota të shumta të djathtës së kryesuar nga PD. Jo vetëm kaq, por për këtë koalicion pritet që të votojnë shumë të djathtë, të cilët gjatë këtyre katër viteve qeverisjeje janë ndjerë të zhgënjyer dhe të braktisur nga ana e mazhorancës së kryesuar nga ana e kryeministrit, Sali Berisha.

Paralajmërimi

Koalicioni i PBDNJ me të majtën u paralajmërua disa ditë më parë, teksa gjatë kongresit të kësaj partie, kreu i saj, Vangjel Dule, kritikoi ashpër mazhorancën aktuale, në të cilën bën pjesë edhe vetë PBDNJ. Dule kritikoi qeverinë në lidhje me garantimin e të drejtës së votës për emigrantët, gjë që e kërkoi me forcë gjatë hartimit të Kodit Zgjedhor, por që në fakt nuk ndodhi. “Qeveria në të cilën ne kontribuojmë u angazhua se në zgjedhjet e kësaj radhe emigrantëve do t'u garantohej e drejta e votës. Edhe në këtë sektor të politikës mbizotëron slogani dhe spekulimi”, - u shpreh gjatë fjalës së tij kreu i PBDNJ. Ndërkohë, sipas Dules, kjo qeveri ka abuzuar dhe bërë demagogji për hyrjen e Shqipërisë në NATO-, duke qenë se ajo është arritje e të gjithë shqiptarëve. “Integrimi në NATO dhe arritja në Aleancë u përdor si slogan demagogjik, me shumë se si arritje e të gjithë shqiptarëve”, - u shpreh ai. Përveç këtyre, Dule akuzoi qeverinë dhe për mosarritje në fushën e arsimit, shëndetësisë, trajtimit të minoriteteve etj. Duke parë rëndësinë e Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, si e majta, ashtu dhe e djathta, bënë përpjekjet maksimale për përfshirjen e saj në koalicionet e tyre. Madje, kreu i PD, njëkohësisht kryeministri i vendit, Sali Berisha, vizitën e para pak ditëve të kryeministrit grek, Kosta Karamanlis, u përpoq ta shiste në media si një mbështetje të Karamanlis për bashkimin e PBDNJ me koalicionin e djathtë. Por në fakt nuk ka rezultuar kështu, pasi me vendimin e djeshëm PBDNJ ka zyrtarizuar përfundimisht koalicionin me të majtën.

Krahu për nga anon PBDNJ duhet thënë që gjithmonë ka qenë krahu që ka fituar zgjedhjet e përgjithshme në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›