E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania e Madhe i ofron Kosovës mbështetje për njohjet e reja

Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu dhe nënsekretari britanik i Shtetit, Chris Bryant gjatë një takimi që zhvilluan në Londër, theksuan rëndësinë që kanë zgjedhjet lokale për imazhin e Kosovës, ndërsa u bënë thirrje të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve që të jenë pjesë aktive dhe konstruktive e këtij procesi, në mënyrë që 15 nëntori të jetë një ditë solemne për të gjithë.
Në takimin në Londër me nënsekretarin britanik të Shtetit, Chris Bryant, presidenti Sejdiu mori premtimin se Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për ta ndihmuar Republikën e Kosovës në të gjithë fushat.
Presidenti Sejdiu, me këtë rast theksoi se Republika e Kosovës ka kapërcyer me sukses sfidat e shumta me të cilat është ballafaquar gjatë viteve të fundit, ndonëse ende mbesin shumë punë për t'u bërë, ashtu si është konstatuar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.
Ai vlerësoi edhe të arriturat në fushë të sigurisë dhe punën e mirë të EULEX-it, duke shprehur qëndrimin se prioritet i institucioneve të Kosovës mbetet sundimi i rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.
"Republika e Kosovës deri më sot është njohur nga 62 vende të botës dhe në po bëjmë ç'është e mundur që ky proces të ecën përpara", tha Sejdiu, i cili kërkoi nga ministri Bryant që Britania e Madhe të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në këtë proces, veçmas në vendet e "Commonwealth" dhe në vendet e tjera në të cilat ky vend ka ndikim më të madh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›