E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania e Madhe kërkon reformë në sistemin e Drejtësisë



Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me ministren e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, baroneshën Uinfrid En Tejlor. Baronesha Taylor, pasi e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje e madhe për Shqipërinë, e cila erdhi si rezultat i arritjeve dhe reformave të suksesshme që u realizuan në Shqipëri, reforma që ndryshuan Shqipërinë, por edhe u vlerësuan jashtëzakonisht nga vendet aleate të NATO-s. Kryeministri Berisha e njohu baroneshën Taylor me reforma dhe arritjet e qeverisë shqiptare përsa i përket luftës me zero tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit, reformat për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe investimet në vend. Baronesha Tejlor vlerësoi se këto arritje të rëndësishme, në veçanti reforma në fushën e Drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, reformat në fushën fiskale dhe thjeshtësimi i procedurave administrative dhe krijimi një situate sigurie në vend, pa dyshim që japin një efekt të madh në nxitjen e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri. Në takim u diskutua edhe për përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryeministri Berisha i bëri me dije baroneshës se zgjedhjet e qershorit 2009 janë zgjedhjet e para, të cilat bazohen në një kuadër ligjor dhe institucional të miratuar me konsensusin më të lartë të arritur ndonjëherë. “Qeveria shqiptare po i pajis qytetarët me dokumente identifikimi më të sigurtat në Europë, bazuar mbi një regjistër elektronik themeltar të shtetasve, si dhe ka krijuar lehtësitë më të mëdha për të gjitha shtresat në nevojë për pajisjen me këto karta”, - theksoi Berisha. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha kërkoi që Britania e Madhe të dërgojë sa më shumë vëzhgues për të ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve në Shqipëri, duke e garantuar baroneshën Taylor se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur të organizojë zgjedhjet më të mira në historinë e demokracisë shqiptare, që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, siç i meriton një vend anëtar i NATO-s.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›