E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Procedurat me të cilat operoi Berisha për operatorin e katërt janë skandaloze”



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i ka cilësuar skandaloze dhe të paligjshme procedurat e ndjekura nga kryeministri Berisha për dhënien e licencës së operatorit të katërt celular. Meta tha se këto procedura bien ndesh me direktivat e Bashkimit Europian. Kreu i LSI-sëiI rikujtoi kryeministrit Berisha deklaratën e bërë para katër vitesh, kur ai ishte në opozitë, në të cilën Berisha thoshte se privatizimet në fund të mandatit janë të dyshimta. “Procedurat me të cilat po operon kryeministri Berisha për licencën e katërt të telefonisë celulare janë skandaloze, janë të paligjshme, janë në kundërshtim dhe me direktivat e Bashkimit Europian. Unë do ta ftoj z. Berisha që të tërhiqet nga përpjekja tij për të ndarë fajin për shkeljen e ligjeve me të gjithë Parlamentin si institucion. Nuk është koha për të bërë vendime të tilla, por është koha për të shkuar drejt zgjedhjeve dhe sikurse e ka thënë vetë z. Berisha para katër vitesh, kur ishte në opozitë, privatizimet në fund të mandatit të çdo qeverie janë të dyshimta, përveç faktit që procedurat në këtë rast duken qartazi që janë të paligjshme”, - tha Meta.
Këtë deklaratë, kreu i LSI-së e bëri gjatë një takimi me biznesmenë të vegjël dhe të mesëm në tregun e produkteve ushqimore në Tiranë. Gjatë takimit Meta u ndal në krizën ekonomike që po has vendi dhe në vështirësitë financiare që po ndesh biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri. Duke pasur rastin për të shpalosë disa nga pikat e programit të LSI-së, ish-kryeministri Meta nënvizoi se: “Ne jemi të vendosur për të përgjysmuar TVSH-në për 12 produkte bazë ushqimore, me qëllim që të kontribuojmë për uljen e çmimit të ushqimeve dhe njëkohësisht për të ndihmuar sadopak familjet shqiptare, të cilat kanë sot probleme edhe me ushqimin e fëmijëve të tyre, duke pasur një kosto sa më të vogël të këtij komponenti jetik”.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›