PD-ja miraton dy muaj para zgjedhjeve Komisionin për hetimin e Ramës
Partia Demokratike miratoi gjatë seancës së djeshme parlamentare pro ngritjes së Komisionit hetimor Parlamentar për kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama. Pas kërkesës së firmosur nga 40 deputetë të kësaj partie, dje në Kuvend PD-ja votoi e vetme për hetimin e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Rama. PD-ja është e ndërgjegjshme se hetimi i Ramës nuk do të sjellë asgjë të re, për shkak se raporti i komisionit nuk do të merret në konsideratë. Kjo për faktin se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili ndalon hetimin e pushtetarëve vendorë. Deputetët e PS-së dhe të partive të tjera opozitare e kanë cilësuar ngritjen e komisionit thjesht për qëllime elektorale.
Ndërsa kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, u shpreh se komisioni ngrihet pasi janë prishur pazaret midis PS-së dhe PD-së për dhënien e lejeve të ndërtimit. Ngritja e këtij komisioni vetëm dy muaj para zgjedhjeve hedh hije dyshimi për përdorimin e tij për shantazh kundrejt PS-së për kartat e identitetit apo dhe çështje të tjera që lidhen me procesin e ardhshëm zgjedhor.
Komisioni
Komisioni Parlamentar do të përbëhet nga 9 anëtarë, ku 5 do të jenë të maxhorancës bashkë me kryetarin dhe katër të opozitës, njëri prej të cilëve do të mbajë postin e nënkryetarit. Afati i hetimit do të zgjasë vetëm 3 javë dhe qëllimi është hetimi i procedurave për dhënien e lejeve të ndërtimit nga Rama. Anëtarët e PD-së në komision do të jenë, Ferdinand Xhaferraj, Edi Paloka, Aldo Bumçi, Gjokë Vuksani si dhe Lajla Pernaska. Ndërsa opozita pritet të mos marrë pjesë në mbledhjet e këtij komisioni. Gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend deputeti Xhaferraj u shpreh se “komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e Planit të ri Rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij plani rregullues”. Është e dyta herë që për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kërkohet një hetim parlamentar. Në vitin 2003, kryebashkiaku u hetua nga një komision hetimor i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.
Opozita
Ndërsa deputeti i PS-së, Blendi Klosi, gjatë fjalës së tij theksoi se PD-ja po bën çdo përpjekje të hedhë baltë mbi Edi Ramën. “Më vjen keq që vazhdoni të hidhni baltë mbi Edi Ramën. Kjo është fushata e katërt që bëni kundër tij dhe dilni të humbur. Arsyeja që ne do t’i fitojmë zgjedhjet, pavarësisht komisioneve tuaja, është modeli i qeverisjes së Bashkisë së Tiranës nga Edi Rama, që do të jetë dhe modeli i ardhshëm i qeverisjes së vendit”, - është shprehur Klosi. Ndërsa deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi, e cilësoi qesharake nismën e PD-së për të hetuar Ramën 2 javë para përfundimit të mandatit të Kuvendit. Sipas Xhufit, PD-ja dispononte prova kundër Ramës që në prill të 2008-s dhe nuk e ndërmori këtë nismë, por e ndërmerr tani, në prag të zgjedhjeve. “Është qesharake nisma juaj për të ngritur komision dy javë para mbylljes së Kuvendit. Ju zonja kryetare e keni akuzuar me shifra Ramën në prill të 2008-s. Pse nuk e ngritët atëherë komisionin, por e ngrini tani? Duket qartë se qëllimet tuaja janë thjesht për të bërë fushatë”, - është shprehur Xhufi.
Edhe kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, u shpreh kundër komisionit, duke e cilësuar atë hakmarrje për shkak të prishjes së pazareve mes PS-së dhe PD-së për dhënien e lejeve të ndërtimit.
24 Prill 2009