E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë



Gjatë seancës së djeshme maxhoranca miratoi e vetme disa projektligje të rëndësishme, siç është miratimi i privatizimit të OSSH-së. Deputetët e PD-së miratuan pro kontratës së shitjes së 80% të aksioneve shtetërore të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kompanisë çeke “ÇEZ”. Në bazë të kontratës së shitjes, kompania çeke "ÇEZ" do të derdhë për llogari të qeverisë shqiptare në fund të transaksionit 102 milionë euro. Kompania çeke ka blerë aksionet e qeverisë shqiptare, çka do të thotë se nuk merr përsipër të mbulojë borxhet e akumuluara për shkak të humbjeve apo edhe ndërhyrjeve në rrjet, apo si rezultat i mospagimit të faturave nga abonentët. Parlamenti gjithashtu miratoi ndryshimet në ligjin për taksat vendore, i cili parashikon vendosjen e kufijve të pushtetit vendor për taksat ndaj biznesit të vogël. Në bazë të projektit, bashkitë dhe komunat nuk mund t’i ulin me shumë se 30% taksat ndaj biznesit, por as t'i rrisin ato më shumë se 10%. Gjithashtu projektligji parashikon edhe krijimin e një Task-Force të veçantë, që do të shqyrtojë me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›