E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi vazhdon debatin për kartat, opozita: Qeveria t’i japë falas



Eljona Ballhysa
Pozita dhe opozita kanë vazhduar debatin për kartat e identitetit edhe gjatë seancës së djeshme parlamentare. Opozita socialiste ishte përfaqësuar dje në Kuvend me kryetaren e Grupit Parlamentar Valentina Leskaj dhe deputetin Bledi Klosi, ndërsa deputetët e tjerë nuk ishin të pranishëm, duke respektuar vendimin për bojkotim të punimeve të Kuvendit. Leskaj, gjatë fjalës së saj, e akuzoi maxhorancën për shkelje të procedurave parlamentare dhe kthimin e Kuvendit në një mbledhje të PD-së. Sipas Leskajt, Kuvendi ka filluar dje një orë me vonesë për shkak se nuk ishin fotokopjuar programi dhe kalendari i punës së Kuvendit për deputetët e pranishëm në sallë. Leskaj gjithashtu përsëriti kërkesën e PS-së për dhënien falas të kartave të identitetit në përmbushje të së drejtës kushtetuese të votës për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ndërsa maxhoranca ka reaguar nëpërmjet kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili e cilësoi debatin për kartat njollosje të procesit zgjedhor, që sipas tij, tregon frikën e kryetarit të PS-së, Rama, për humbjen në zgjedhje.
Opozita
Ndërsa ka përsëritur dhe njëherë qëndrimin e PS-së për dhënien falas të kartave të identitetit, Leskaj është shprehur se vendimi i qeverisë është konfuz jo vetëm për qytetarët, por dhe për pushtetin vendor. “Jam për të përsëritur edhe njëherë qëndrimin e PS-së lidhur me sistemin e administrimit të votës, i cili me gjithë masat gjysmake, mbetet një proces kaotik dhe i pazbatueshëm. Për ne sistemi që aplikoni rrezikon ushtrimin e së drejtës kushtetuese të të gjithë shtetasve për të votuar, pavarësisht nga gjendja sociale dhe ekonomike e tyre. Kjo e drejtë mbetet e rrezikuar për sa kohë që masat gjysmake të qeverisë, përfshirë edhe vendimin e fundit, jo vetëm që nuk e heqin taksën, por kanë krijuar konfuzion si për përfituesit, edhe për zbatuesit që janë në pushtetin vendor, apo institucione të tjera që i ngarkon vendimi”, - është shprehur Leskaj, ndërsa ka bërë të ditur se pavarësisht se qeveria ka një javë që ka marrë vendimin, nuk ka dalë ende udhëzimi nga Ministria e Financave dhe procesi nuk ka nisur në terren. “Ndërkohë, vendimi i ri që qeveria mori ditët e fundit nuk ka shkuar ende te drejtuesit e pushtetit vendor, të cilët janë të paqartë si do të veprojnë. Po kalon gati një javë që nga dita e miratimit të vendimit dhe ende nuk u është shpërndarë njësive vendore me justifikimin se Ministria e Financave nuk ka nxjerrë udhëzimin”, - është shprehur Leskaj. Ai ngriti shqetësimin e mijëra të papunëve dhe njerëzve në nevojë, të cilët nuk përfitojnë ndihmë ekonomike dhe nuk janë të përfshirë në skemën e lehtësimit të pagesës së kartave nga qeveria. Leskaj i bëri thirrje qeverisë të zbatojë propozimet e PS-së për procesin, duke futur sistemin e aplikimit në një sportel për kartat e identitetit. Ndërsa Blendi Klosi u shpreh se synimi i Berishës është që ta çojë vendin në zgjedhje me certifikata.
Maxhoranca
Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, e cilësoi debatin për kartat njollosje që PS-ja po i bën procesit zgjedhor. Patozi u shpreh se qëndrimi i opozitës është qesharak dhe tregon frikën që ka ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit. “Partia Socialiste nuk po kërkon kartat e identitetit, por kërkon një kartë për të njollosur paraprakisht procesin dhe për të prishur zgjedhjet e 28 qershorit. Ky parlament po e mbyll mandatin e tij në mënyrën më dinjitoze, si parlamenti i reformave dhe i NATO-s, dhe këtë gjë nuk e cenon aspak qëndrimi qesharak dhe absurd i opozitës. Edi Rama u ka bërë thirrje të gjithë socialistëve që të mos shkojnë për të aplikuar për kartat e identitetit. Kjo maxhorancë do t’i arrijë standardet e kërkuara për këto zgjedhje, pavarësisht qëndrimeve jashtë standardit të Edi Ramës. Shqipëria do të votojë kur e përcakton Kushtetuta dhe ligjet e vendit dhe jo atëherë kur t'i dalë frika kryetarit të PS-së, i cili duhet të kuptojë se zgjedhjet nuk fitohen në tavolinë, por fitohen në kutitë e votimit. Politika dhe shkenca ende nuk kanë shpikur ndonjë mënyrë që ta kthejnë politikanin paranojak në një njeri normal”, - është shprehur Patozi.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›