E Diel, 1 Nëntor 2026

Centrali bërthamor, PS: Nuk do të lejojmë që Shkodra të ketë fatin e Vlorës



Një ditë pasi kryeministri Berisha mohoi ekzistencën e një projekti për ndërtimin e centralit bërthamor në Shkodër, ka reaguar Partia Socialiste. Zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, deklaroi se Partia Socialiste nuk do të lejojë që Shkodra të pësojë të njëjtin fat si Vlora. “Plani i Sali Berishës për të ndërtuar centralin bërthamor në Shkodër është tashmë i qartë për të gjithë shqiptarët. Vetëm pasi u njoh me rezultatet e sondazhit të fundit, që tregonin se mbështetja e Partisë Demokratike në Shkodër është në rënie të ndjeshme prej vendimit të kryeministrit për të ndërtuar centralin bërthamor, Sali Berisha vendosi të mohojë planin e tij. Të gjithë e dinë se nëse Sali Berishës do t’i jepet mundësia ta ndërtojë centralin bërthamor në Shkodër, ai do ta bëjë këtë. Thënia e së vërtetës nuk është në karakterin e Berishës. Ne nuk do të lejojmë që Shkodra të mashtrohet nga i njëjti person që mashtroi Vlorën”, - tha Kodheli. Ndaj deklaratës së saj është kundërpërgjigjur menjëherë Partia Demokratike, me anë të zëdhënëses, Erla Mëhilli. “Mimi, je bërë me të vërtetë për të ardhur keq. Mos gënje çdo ditë se po vazhdove kështu, do të keqpërdoresh dhe ti si Braçja dhe Balla. Në vend që t’u kërkosh të falur qytetarëve të Shkodrës se i mashtrove me fjalët false të Ramës që ai kish paguar në një gazetë kroate, tani po me fjalët e tij paraqitesh para mediave se beson gënjeshtrat që ke thënë herën e parë. Meqë do të dish për sondazhet në Shkodër po t’i them unë: Partia Socialiste në Shkodër është gjithsej 13% dhe me këtë zinxhir gënjeshtrash që prodhon do të përfundoni edhe më poshtë se kaq”, - tha Mëhilli.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›