Britania e Madhe shpreh vlerësim të padiskutueshëm për reformat
- Sekretari britanik për Çështjet e Jashtme shpreh mbështetjen për marrjen e ftesës për anëtarësim në NA, në samitin e Bukureshtit
Kryeministri Berisha shprehu sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, falënderimet për mikpritjen dhe për vlerësimin dhe mbështetjen e autoriteteve britanike për procesin e reformave dhe integrimin e Shqipërisë në NA dhe Bashkimin Europian. “Ka një vlerësim të padiskutueshëm për ecurinë e reformave”, tha Kryeministri.
Kryeministri theksoi se mbështetja për reformat dhe procesin e integrimit në NA dhe BE ishin ndër temat e diskutimit me autoritetet e larta britanike, përfshirë Kryetarin e Parlamentit, Sekretarin për Çështjet e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes.
“Sekretari Miliband më siguroi se qeveria e Britanisë së Madhe mbështet përpjekjet e Shqipërisë. Natyrisht, ai theksoi në mënyrë shumë të qartë se në prill, në Bukuresht, do të përpiqen të ulen shumë avionë. Ato nuk janë ulje të lehta, por ushtrimi është i domosdoshëm për uljen e avionit në Bukuresht. Në këtë kontekst, reformat janë lajtmotivi dhe ai shprehu gatishmërinë për ta na ndihmuar në fushën e reformave, e cila ka rëndësi shumë të madhe për ne. Me sekretarin e Mbrojtjes diskutuam për mundësinë e bashkëpunimit në kuadrin e NA-s në Afganistan dhe në fusha të tjera. Ai pati një interesim shumë të madh për njësitë tona në Afganistan dhe Irak. Pra, një klimë realisht shumë pozitive. Kilometri i fundit kërkon përkushtim të plotë e total në mënyrë që ne të arrijmë siç duhet në finish,” tha Kryeministri.
Një tjetër temë e rëndësishme në agjendën e takimeve ishte edhe çështja e Kosovës. Kryeministri bëri të ditur se gjatë takimeve me Sekretarin për Çështjet e Jashtme, Kryetarin e Parlamentit dhe Sekretarin e Mbrojtjes ka ritheksuar qëndrimin e qeverisë shqiptare në këtë çështje, duke rikonfirmuar mbështetjen për planin Ahtisari.
“Në këto takime, - u shpreh Kryeministri, - mbrojtja pikëpamjen se projekti i Presidentit Ahtisari është një projekt europian dhe i jep përgjigjen më të mirë kësaj çështjeje. Ai garanton me standardet më të gjera që ekzistojnë deri më sot liritë dhe të drejtat e serbëve dhe minoriteteve të tjera në Kosovë, sikundër respekton edhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës për pavarësi si zgjidhje e vetme që i jep paqe dhe stabilitet. Por ky projekt nuk u pranua nga Serbia për shkak se ajo ende nuk është e çliruar nga ideja e serbomanisë. Qeveria shqiptare mendon se shtyrja e statusit është e disfavorshme për paqen dhe stabilitetin. Sikundër ne publikisht ftojmë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës për jo veprime të njëanshme pa një bashkërendim me SHBA-të dhe anëtarët e grupit të kontaktit, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë që në tërësi kanë një koncept në favor të paqes dhe stabilitetit në dhe një koncept që e favorizon këtë edhe për statusin e Kosovës.”
Kryeministri veçoi si një moment shumë të veçantë takimin me studentë në Oksford Union, duke e cilësuar atë si tribunën më të vjetër dhe të njohur e debatit jo vetëm në Angli, por kudo, që menaxhohet nga studentët që nga viti 1823. Në këtë tribunë kanë folur personalitetet më të mëdha botërore që nga Çërcill, Theçer, ish presidentët amerikanë Regan, Riçard Nikson, Klinton, Nënë Tereza e shumë të tjerë.
“Kjo tribunë është bërë shumë e njohur për shkak të karakterit të hapur të debatit dhe mbahet si tribunë e fjalës së lirë. Natyrisht është e njohur si tribunë e debatit të ashpër dhe këtu qëndron edhe tërheqja e saj. Edhe shoqata që e drejton është një shoqatë e rëndësishme me seleksion të fortë. Studentët treguan shumë interes dhe pata shumë kënaqësi për pyetjet që bënë. Oksford është universiteti më i vjetër i vendeve anglofolëse. E veçanta në këtë takim ishte se në grupin e studentëve ndodhej edhe një vajzë shqiptare, e cila kishte shkuar në kuadër të fondit të ekselencës. Kur unë i njoha se ç’po bëjmë ne me universitetet, ajo dëshmoi se ishte pikërisht një prej atyre që kishin përfituar nga fondi i ekselencës,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri vlerësoi shumë të frytshëm edhe takimin me lordin Rothchild, me të cilin diskutoi gjerësisht për një seri projektesh të ardhshme në Shqipëri në fushën e turizmit kulturor dhe në fusha të tjera.
Kryeministri Berisha zhvilloi dy ditë më parë një vizitë në Britaninë e Madhe, me ftesë të Oksford Union.