Shqipëria vendi i suksesit
- Interesi i biznesit britanik gjithnjë e në rritje për Shqipërinë
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha vlerësoi shumë të rëndësishëm edhe takimin në Londër me Presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) Jean Lemierre, me të cilin diskutoi për partneritetin dhe zgjerimin e BERZH-it me projekte të reja, veçanërisht në sektorin privat në Shqipëri.
“Pasi i falënderova për partneritetin dhe ndihmë e shkëlqyer që kemi pasur me BERZH-in gjatë gjithë këtyre viteve, kërkova një stad të ri shumë më të fuqishëm të angazhimit të kësaj Banke në Shqipëri, angazhim që duhet të përfshijë energjetikën, infrastrukturën me një theks të veçantë tek portet, si ai i Shëngjinit, por dhe porti i Durrësit, ndoshta me një terminal për çimenton mbi bazë private. Hekurudha ishte një kërkesë tjetër që unë parashtrova në takim, veçanërisht aksi Durrës-Hanit Hotit, i cili po merr çdo muaj rëndësi edhe më të madhe, për shkak se transporti po vjen gjithnjë e në rritje. Gjatë takimit, diskutuam gjerësisht edhe për të na ndihmuar në çështjen e mbetjeve urbane dhe ata janë të vendosur të angazhohen me seriozitetin më të madh në trajtimin e këtij problemi në Shqipëri,” u shpreh Kryeministri.
Një fushë tjetër shumë rëndësishme, - tha Kryeministri - për të cilën unë kërkova direkt ndihmën e Bankës janë financimet për qeveritë vendore. “Në mënyrë te veçantë e kam vënë theksin tek unaza e madhe e Tiranës, një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin. E informova presidentin e Bankës se grupe të përbashkëta të ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe bashkisë së Tiranës po punojnë për shpronësimin dhe se qeveria është e gatshme të marrë shpenzimet e shpronësimit, sikundër është e gatshme, për domosdoshmërinë e kësaj vepre, të mbështesë kreditë me garanci sovrane për ndërtimin e saj. Mendoj se ky projekt pati një vlerësim të veçantë nga ekipi. Ne u ndamë me premtimin se Presidenti i saj do të vijë në janar në Shqipëri për të firmosur një marrëveshje të re bashkëpunimi që shënon një zgjerim shumë të madh të pranisë së kësaj Banke veçanërisht në sektorin privat,” theksoi Kryeministri.
Gjatë vizitës në Britaninë e Madhe Kryeministri pati një takim me komunitetin e biznesit, ku ishin të pranishëm mbi 40 kompani britanike. Kryeministri tha se gjatë bashkëbisedimit me ta u evidentua një interes serioz në rritje nga biznesi britanik për Shqipërinë.
“Ka një interes serioz në rritje nga biznesi britanik. Jehonë shumë të madhe kishte artikulli i “The Observer”, i cili e rreshtonte Shqipërinë në 20 vendet e përshtatshme për të investuar. Reformat tona kanë jehonë shumë pozitive dhe po përhapen kudo. Shqipëria është vend i suksesit,” u shpreh Kryeministri.