E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha mbajtur në Samitin e Partive Popullore Europiane

“Zoti President,

Duke ju falenderuar për mundësinë që më krijoni t’i adresohem këtij Samiti me këtë fjalë, me të cilën do t’ju njoh me zhvillimet në vendin tim.

Më 20 Korrik, Parlamenti në përputhje me Kushtetutën, zgjodhi Presidentin e Republikës. Të gjitha forcat politike parlamentare e përshëndetën Presidentin sapo mori detyrën. Ndërkohë, Qeveria dhe koalicioni i djathtë që unë kryesoj, është përqëndruar në këto drejtime kryesore.

Së pari, në luftën kundër krimit të organizuar. Në këto dy vjet agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri kanë çmontuar dhe vendosur para ligjit 204 grupe dhe organizata të krimit të organizuar, kanë vendosur para ligjit 850 anëtarë dhe drejtues të këtyre grupeve dhe organizatave, kudo që janë ndodhur në Shqipëri dhe Europe, nga Greqia në Suedi.

Një goditje shumë të madhe kanë patur trafiqet ilegale. Sipas statistikave të shtetit italian, ato kanë pësuar një ulje shumë të madhe nga Shqipëria. Për të arritur këtë qëllim, Parlamenti shqiptar ka miratuar edhe ligjin për bllokimin e përkohëshëm të skafeve.

Shfrytëzoj këtë rast për të siguruar Qeveritë tuaja se jemi të gatshëm për të nënshkruar çdo marrëveshje për luften me sukses ndaj krimit të organizuar, me ju dhe vendet tuaja.

Një drejtim tjetër themelor i Qeverisë sime ka qenë lufta kundër korrupsionit, që përbën një kancer të vërtetë për shoqërinë. Ne kemi vendosur standarte të reja në administratë, të cilat nuk lejojnë përdorimin e parave publike për qëllime personale dhe kjo ka bërë të mundur shkurtimin me 40% të shpenzimeve operative në administratën qëndrore dhe me 25% në degët lokale të administratës qëndrore. Kemi shkurtuar me 20% portofolet e Qeverisë dhe me 30% numrin e punonjësve të institucioneve qeveritare.

Kemi nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesit, kemi miratuar ligjin për mbrojtjen e denoncuesve të korrupsionit, një lloj si dëshmitarët e krimeve të renda, dhe shpërblimin e tyre me 6% të vlerës që kursehet dhe përfitohet nga denoncimi.

Lufta kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe kontrabandës, ka bërë të mundur dërgimin e një buxheti suplementar në Parlament për dy vite me radhë, rënien me 23% të kostos së përgjithshme të prokurimeve në Shqiperi dhe, pavarësisht nga ulja shumë e madhe e taksave, rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga 22% në 27%.

Në kuadrin e kësaj lufte, ne po dixhitalizojme proçedurat dhe po privatizojmë shërbimet.

Shqipëria 2 vjet më parë nuk ishte një vend tërheqës për investimet e huaja. Objektivi ynë kryesor ishte shndërrimi i saj në një vend atraktiv për investimet e huaja. Në këtë kontekst krahas luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne ndërmorëm reforma të thella për të ulur pengesat burokratike që rendonin mbi bizenesin dhe u zotuam ta shndërrojmë Shqiperine në vendin me barrën fiskale dhe koston e prodhimit më të ulët në Europe.

Për të realizuar këto qëllime ne shkurtuam kohën e regjistrimit të biznesit nga 42 ditë në 1 orë, duke vendosur “One Stop Shop” dhe së shpejti nisim punën e vendosjes së “One Stop Shop” për liçensat dhe lejet.

Ndërmorëm iniciativën “Shqiperia 1 euro”, përgjysmuam liçensat dhe lejet, ndërsa po punojmë për krijimin e parqeve industriale. Ndërkohe, një revolucion i vërtetë fiskal ka patur vend në Shqipëri. Taksa mbi të ardhurat personale është ulur nga 23% në 10%, taksa mbi fitimin është ulur nga 25% në 10%, duke realizuar taksën e sheshtë me 10%.

Kontributi i sigurimeve shoqërore është ulur mbi 31%, taksa e biznesit të vogël me 15%, çmimi i energjisë për biznesin me 30%.

Shqipëria është vendi me barrën fiskale dhe koston e prodhimit më të ulët në Europë.

Rezultatet e para janë me të vërtetë inkurajuese. Në vitin 2006 investimet e huaja ishin 3 herë më të larta se mesatarja e 10 vjeçarit, dhe këtë vit pritet të jenë përsëri disa herë më të larta.

Indeksi i shitjes është rritur 20%, eksportet 28%, konsumi i energjisë nga biznesi 12,6%, depozitat bankare 25%, krediti për ekonominë në dy vjet është rritur reth 3 herë dhe numri i turisteve është rritur me 70%.

Vetëm katër ditë më parë, shtypi britanik renditi Shqipërinë si një ndër 20 vendet më të favorshme për investime në planet.

Pres që viti tjetër të jetë viti i konsolidimit të mëtejshëm të këtyre reformave, të cilat kanë si qëllimin më të rëndësishëm dy projektet e medha të kombit tonë, marrjen e ftesës për antarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit dhe përshpejtimin e proçesit për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kombi ynë është një komb shume i ri dhe ne jemi të vendosur ta sjellim atë në moshën dixhitale. Për këtë qëllim, brenda viti 2008 përfundon në tërë vendin projekti e-shkolla, kemi perfunduar e-taksa, e-dogana, e-prokurime, regjistrin elektronik i biznesit dhe atë të penaliteteve. Ndërkohë, po punojmë për regjistrin elektronik të gjendjes civile dhe kartat e identitetit, si dhe e-government.

Zoti President,

Problemi i Kosovës është një problem madhor dhe për t’u zgjidhur, me një rëndësi shumë të madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian e ka cilësuar atë problem europian dhe kjo është pozitive. Por, dua të theksoj se për këtë problem europian ekziston dhe një projekt europian, dhe ky është projekti i Presidentit Ahtisaari.

Zbatimi i të cilit duhet të mbështetet nga vendet e Bashkimit Europian, si projkti më i mirë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ky projekt jep garancitë më të mëdha për minoritetet dhe pakicën serbe në Kosovë dhe respekton vullnetin e shumicës shqiptare për pavarësi.

Projekti nuk është pranuar nga Serbia, e cila duke injoruar genocidin e kryer vetëm pak vite më parë në Kosovë, merr tani rolin e viktimës dhe për fat të keq e bllokon tani proçesin e paqes. Në këto qëllime Beogradi është inkurajuar nga shprehjet e Rusisë për bllokimin e rezolutës në Këshillin e Sigurimit, duke krijuar kështu një gjendje të pasigurt në rajon.

Qeveria shqiptare mbështet përpjekjet e Trojkës për të arritur në një zgjidhje, si dhe projektin Ahtisari dhe siguron se është e vendosur të respektojë plotësisht kufijtë ndërkombëtare të Kosovës.

Dy dite me parë, në një takim që pata në Oxford Union, një student më adresoi një pyetje, të cilën m’u duk se e bëri me sinqeritet.

Ai tha: 10 vjet pas shpalljes së Kosovës së pavarur, a parashikoni ju të bëni bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës?

Përgjigja ime ishte po e sinqertë. Tirana dhe Prishtina shpresojnë dhe besojnë se ne 10 vitet e ardhshme do të anëtarësohen në Bashkimin Europian dhe unë nuk di të ketë vende në këtë bashkim që duan të bashkohen me njëri-tjetrin, pasi janë shumë të kënaqur se janë të bashkuar të gjithë”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›