Britania e Madhe sot voton, enigmë fituesit
Mbi 45 milionë persona do të votojnë sot në Britaninë e Madhe për të zgjedhur anëtarët e rinj të parlamentit. Kandidatët kryesorë të kësaj gare të ashpër janë, kryeministri Gordon Braun i partisë Laburiste, lideri konservator Dejvid Kameron dhe liberal demokrati Nik Kleg. Tre politikanët janë përmbajtur nga sulmet ndaj njëri-tjetrit ditët e fundit, për t’u përqendruar te politika e partive të tyre. Konservatorët kryesojnë me 5 për qind në debatet televiziv, ndërsa Kleg dhe partia e tij renditen të fundit në këtë garë. Analistët janë të një mendje se do të jetë i vështirë përcaktimi i fituesit dhe për këtë ka dy shkaqe: sistemi zgjedhor dhe sjellja e zgjedhësve. Imigrimi, edukimi, gjendja ekonomike dhe natyrisht rastet e shpenzimeve në Dhomën e Ulët janë temat, të cilat kanë dominuar fushatën parazgjedhore në Britani të Madhe. Por në sondazhe nuk mund të thuhet qartë se kush do ta qeverisë vendin pas 6 majit. Besueshmëria ndaj kryeministrit Gordon Braun ka rënë shumë. Ndërkohë që as konservatorët opozitarë të Dejvid Kameronit duket se nuk kanë shanse për një fitore të qartë sepse për këtë duhet të fitojnë edhe 116 mandate të tjera, që do të ishte shifra e tretë më e madhe që prej Luftës së Dytë Botërore. Pas skandaleve të shumta me donacione dhe shpenzime shumë zgjedhës janë të dëshpëruar me dy partitë e mëdha. Prandaj kohët e fundit kanë fituar shumë në popullaritet liberal-demokratët e Nik Klegut. Sidoqoftë është hera e parë pas shumë dekadave që kemi mundësinë e një situate pati. Ekspertët thonë se Kleg dhe liberal-demokratët e tij do të fitojnë vetëm një pjesë të caktuar mandatesh. Vota për një liberal-demokrat në ato rrethe, ku kandidati i tyre nuk ka shanse për fitore, është një votë e humbur. Prandaj Fisher beson se shumë zgjedhës, që aktualisht i mbështesin ata, në ditën e zgjedhjeve do të ndryshojnë mendimin. Në qoftë se do të ketë situatë pati, atëherë liberal-demokratët duhet të vendosin, se me cilën parti të madhe do të futen në koalicion. Por ka dhe parti të tjera të vogla, që mund të ndikojnë në tejkalimin e një gjendje pati.
6 Maj 2010