Greva e dhunshme përfshin Greqinë, mbeten 3 të vrarë
Tre persona, dy gra dhe një burrë, kanë mbetur të vdekur ditën e djeshme në kuadër të grevës së përgjithshme që përfshiu Athinën. Në një institut bankar në zonën pranë Parlamentit është hedhur një bombë molotov, që ka shkaktuar një zjarr të fuqishëm. Nën gërmadhat e bankës “Martin Egnatia” kanë humbur jetën të paktën tre persona, ndërkohë që nga flakët u përfshinë edhe dy zyra të tjera publike, njëra që i përkiste prefekturës së Athinës dhe një tjetër ku është vendosur agjencia e tatim taksave. Mes viktimave bëhet e ditur se ishte një grua shtatzënë. Menjëherë pas ngjarjes janë evakuuar rreth 20 persona që gjendeshin në brendësi të bankës që iu vu zjarri. Policia greke ka arrestuar të paktën katër persona pas sulmit vdekjeprurës. Lajmi u bë i ditur nga agjencitë greke, sipas të cilave forcat e rendit kryen një operacion të madh për të arrestuar fajtorët. Policia dekretoi gjendjen e “alarmit të përgjithshëm” dhe të gjitha lejet u anuluan. Incidenti i provokua nga disa persona me kapuça në kokë. Kryeministri grek Jorgo Papandreu u shpreh se “këto vdekje të padrejta” janë pasojë e dhunës së pakontrolluar dhe e papërgjegjshmërisë politike. Kryeministri i ka bërë thirrje popullit për bashkim, por edhe u ka ripërsëritur lidërëve të partive politike nevojën për mbledhjen e një tryeze të përbashkët dhe marrjen e përgjegjësive.
Përleshje në Athinë dhe Selanik
Rrugët e Athinës dhe të Selanikut janë përfshirë nga përleshjet e dhunshme. Mijëra njerëz kanë protestuar kundër masave të rrepta antikrizë të qeverisë, të cilat pritet të votohen ditën e sotme në Parlament. Sipas qeverisë, këto masa janë të domosdoshme për të shpëtuar vendin nga falimentimi. Një grup prej 60 vetësh u përpoqën të thyenin kordonin e policisë që ruante Parlamentin në Athinë, ku më pas kanë qëlluar me gurë policët. Pas këtij veprimi forcat e rendit janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Në Athinë janë mbledhur rreth 20 mijë persona për të protestuar në rrugë, ndërsa në Selanik, të rinjtë kanë thyer dritaret e dyqaneve të fast food-ve. Shteti helen u përball dje me një black out informativ për shkak të grevës së gazetarëve. Trafiku ajror, hekurudhor dhe urban u paralizuan tërësisht. Në lëvizje ishin vetëm autobusët që u mundësuan protestuesve lëvizjen në qendrat e populluara. Të mbyllura ishin edhe spitalet, shkollat, bankat, zyrat publike, dyqanet. Grevës së punonjësve të sektorit publik iu bashkuan edhe punonjësit e sektorit privat. Kjo është greva e tretë e përgjithshme që është organizuar që nga fillimi i krizës dhe i pari pas deklarimit të masave antikrizës.
Opozita kundër masave
Ky plan, përveç sindikatave, dënohet edhe nga partitë në opozitë, duke nisur nga Demokracia e Re e cila ka deklaruar se do të votojë kundër ditën e sotme në Parlament. Megjithatë maxhoranca i ka të gjitha votat për të miratuar planin antikrizë. Nga 300 deputetë që janë në Parlament 160 deputetë janë të partisë në pushtet “Pasok”. Pro do të votojë dhe partia e djathtë ekstreme Laos. Plani antikrizë i cili është koordinuar mirë me BE- FMN, në këmbim të 110 miliard eurove ndihmë në tre vjet, parashikon një reduktim të shpenzimeve në 30 miliardë euro, shkurtim të pagesave të punonjësve të administratës, pensioneve, reforma fiskale si dhe rritje të akcizës për karburantet, alkolin cigaret dhe cdo gjë të luksit.
BE: Ndihmë deri në vitin 2013
Bashkimi Europian mund të ndihmojë ekonomikisht Greqinë edhe në vitin 2013. Lajmi u bë i ditur nga komisioneri i BE-së për Çështjet Ekonomike dhe Monetare, Oli Rehn pas pyetjes që iu bë ku iu kërkua nëse ndihma 110 miliardë euro për Greqinë është e mjaftueshme ose jo. “Plani BE-FMN ka një afat 3-vjeçar dhe u mendua për të mbuluar të gjitha nevojat e financimit të Greqisë deri në vitin 2012. Edhe në vitin 2013 do financojmë nëse do të shihet e nevojshme”, theksoi Rehn.
6 Maj 2010