E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania me plan të ri kundër emigracionit

Ministria e Brendshme në Britani po harton një plan emergjencë, për t’i bërë ballë një rritjeje të mundshme të emigracionit nga Greqia nëse ky vend falimenton.

Sekretarja e Brendshme, Theresa May deklaroi për “Daily Telegraph” se po punohet për të kufizuar emigracionin evropian në rast të një kolapsi financiar.

Ajo tha se po ekzaminohen një sërë tendencash, për të verifikuar nëse ka rritje të emigracionit nga vendet me ekonomi të tkurrur.

Nëse monedha e përbashkët bie, njerëzit që kërkojnë punë jashtë vendit mund të shohin Britaninë si një alternativë tërheqëse, duke qenë se ajo nuk bën pjesë në zonën euro.

E pyetur nëse po merren në konsideratë kontrolle emergjente për emigracionin, May tha: “Është normale që ne të hartojmë disa plane rezervë për këtë dhe puna është në zhvillim e sipër”.

Ajo tha se nuk ka prova që për momentin emigracioni të jetë në rritje, por theksoi se është vështirë të parashikohet se si do të jetë situata në javët e ardhshme.

Njoftimi për planin vjen pas çrregullimeve të monedhës së përbashkët evropiane, pasi banka e katërt më e madhe e Spanjës, Bankia, kërkoi një ndihmë prej 19 miliardë eurosh nga qeveria.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›