E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Britania përkrah zgjerimin e BE-së”

22-02-2013 / Gazeta 55

Ambasadori Britanisë së Madhe, Nicholas Cannon gjatë forumit "Talk Europe"

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Cannon, foli dje në një takim publik të organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare për zgjerimin e Bashkimit Europian, por edhe për të sqaruar vendimin e vendit të tij për të mbajtur një referendum lidhur me qëndrimin ose jo në Union. 
Cannon tha se Britania e Madhe mbetet përkrahëse e zgjerimit.
Sipas tij, përmbushja e reformave që kërkohen për anëtarësim në BE do të ndikojnë në rritjen e prosperitetit ekonomik të Shqipërisë. Ambasadori u ndal edhe në fjalimin të kryeminstrit, David Cameron, të datës 28 Janar.
Sipas Cannon, dëshira e qeverisë britanike nuk është të dalë nga Bashkimi Europian, por ta reformojë atë. 
Ambasadori britanik Cannon u shpreh se zgjedhjet e lira dhe të ndershme do jenë vendimtare për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pasi do të do të përshpejtojnë ose jo integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Zgjedhjet e 23 qershorit janë të rëndësishme dhe nëse do të jenë të mira do të jenë një shtysë për integrimin, nëse do të jenë të dyshimta atëherë do të kthejnë pas procesin e integrimit. Gjithashtu, duhet të mbrohet e drejta e votës”, u shpreh ambasadori britanik në një konferencë për integrimin.
Duke iu referuar zhurmës që është duke u bërë në politikën shqiptare lidhur me tre ligjet, Cannon nënvizoi se këto tre ligje nuk kanë rëndësi në vetvete për integrimin, përbëjnë një pjesë shumë të vogël të asaj që nevojitet për procesin kompleks të integrimit, por është e rëndësishme që të arrihet konsensusi për votimin e tyre.
“Tre ligjet nuk kanë rëndësi për integrimin, pasi shikoj se janë kthyer në  një çështje thelbësore. Procesi i integrimit është shumë i gjatë që do të duhen vite dhe këto 3 ligje janë vetëm tre tulla në atë masë që duhet të ndërtohet për integrimin. Por duhet të krijohen kushtet që këto ligje të miratohen”, theksoi Cannon.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›