E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britanikët: Do ta bëjmë Vlorën si Dubai

Për herë të parë në Londër është zhvilluar forumi i investimeve britaniko-shqiptare, i cili ngjalli interes te më shumë se 150 kompani vendase që operojnë në fusha të ndryshme, mes tyre edhe disa institucione bankare të rëndësishme, që ishin prezent.

Mbajtja e tij u zhvillua n "One Whitehall Place" një ndërtesë me stil 100-vjeçar viktorian, njohur ndryshe si "National Liberal Club". Marrëdhëniet politike mes dy vendeve gjithmonë janë cilësuar si të një niveli të lartë, por në fushën e biznesit ato nuk kanë qenë të tilla. Kjo ka detyruar ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Zef Mazi, të organizojë këtë forum për të tërhequr investime britanike në Shqipëri. "Çfarë ne duam të arrijmë nga ky forum është promovimi Shqipërisë përfshi mundësitë që ajo ofron për të investuar. Britania luan një rol të rëndësishëm në investimet globale, gjë e cila është shumë e rëndësishme për ne", është shprehur zoti Mazi, i cili ka hapur këtë forum. Gjatë tij është diskutuar rreth sistemit financiar përfshi atë bankar, ekonominë në tërësi, energjetikën, transportin e komunikacionin. Një rëndësi e veçantë i dhënë edhe mundësive që ekzistojnë për të investuar në fushën e turizmit. Ministrat pjesëmarrës: Genc Ruli, Ylli Pango, Sokol Olldashi, zëvendësministri i Financave, Mima, e kanë cilësuar këtë forum si të një rëndësie të veçantë për kohën dhe vendin ku zhvillohet.

Drejtori i Përgjithshëm i KESH, Gjergj Bojaxhi, u shpreh se ky forum ofronte një mundësi të mirë në shpalosjen e platformës së kësaj korporate, e cila ka hyrë në fazën e një privatizimi të pjesshëm. "Gjatë këtij sezoni turistik në Sarandë, do të mbërrijnë një numër i konsiderueshëm krocerësh me turistë britanikë. Po ashtu jemi kontaktuar nga disa investitorë britanikë që duan të investojnë në turizmin shqiptar. Megjithatë, synimi i ministrisë që drejtoj është që të kemi sa më shumë investitorë nga Britania, pasi dihet se industria e turizmit në këtë vend është ndër më të përparuarat në botë", tha ministri Pango. Pjesëmarrjen në këtë forum nuk e kanë lënë pa shfrytëzuar edhe disa shqiptarë që punojnë në institucionet bankare në Londër. Kompania britanike ZUMAX e specializuar në fushën e transportit detar i ka dorëzuar qeverisë shqiptare më 26 nëntor 2007 propozimin për ndërtimin e një porti ku do të përpunohen kontejnerësh, ndërsa më 10 mars 2008 kjo kompani ka dorëzuar projektin me vlerë totale 1,2 miliardë euro. Faza e parë parashikon një investim prej 533 milionë euro. Nëse këtij projekti do t‘i jepet drita jeshile për t‘u realizuar në të do të punësohen 2 mijë persona nga të cilët 726 veta do të jenë pjesë e stafit menaxhues me specialistë të ndryshëm. Sipas projektit, një kopje të së cilës është parë nga "Shqip", mësohet se ai do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 300 hektarësh në zonën e Triportit në Vlorë i ngjashëm me portet e këtij lloji në Dubai dhe Katar. Projektuesit e tij thonë se ky port do të jetë më i rëndësishmi në Mesdhe duke lënë prapa Maltën dhe Qipron, të cilat shquhen për të tilla porte. Projekti parashikon lidhjen e tij me Korridorin Tetë, si dhe ndërtimin e një aeroporti lokal në funksion të portit. Philip George, drejtor i këtij projekti pjesëmarrës në "Forumin e Investimeve Britaniko-Shqiptare", tregon për herë parë ekskluzivisht për "Shqip" përse ata kërkojnë ta realizojnë këtë projekt në Shqipëri. "Ky projekt ka lindur si nevojë e kërkesës që ka tregu i operatorëve të kontejnerëve. Ky treg për çdo vit ka një rritje me 11%. Këta operatorë kërkojnë një port të ujërave të thella në Mesdhe për këtë ZUMAX, pasi inspektoi disa vende mesdhetare zgjodhi tri vende, të cilat janë Turqia, Libia dhe Shqipëria. Zgjodhëm Vlorën për thellësinë e detit që ka dhe pozicionin e favorshëm gjeografik që ofron për të tilla porte. Ne i kemi propozuar qeverisë shqiptare që ky port të jetë i sigurisë së lartë, duke pasur parasysh që në Shqipëri nuk ka një port të tillë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›